Tollovi para sporteleve të Ministrisë së Brendshme tek RTVM-ja ku nxirren dokumentet e udhëtimit. Edhe pse kanë termin të caktuar, qytetarë presin radhë me orë të tëra. Pandemia dhe moti i nxehtë edhe më shumë i ka nervozuar ata të cilët prisnin të fotografohen për pasaportë, letërnjoftim apo patentë shoferi.
“1:45 e kam pasur terminin këtu. Po ky ku e di çfarë ka. Unë nuk përlahem. Përse të përlahem. Në atë kohë e kanë bërë terminin. Nuk bën kështu. Ju për pasaportë keni ardhur? Po për shoqen. Ashtu më thanë, ka 1 muaj e gjysmë që e kam marrë terminin”, tha një qytetar.
“Gjysmë ore po pres. Për çfarë po prisni? Për leje kam ardhur. I ka kaluar afati”, shtoi një tjetër qytetar.
Policia mundohej ta qetësojë situatën, duke u treguar qytetarëve se sa persona mund të hyjnë për tu fotografuar.
“Nëse e keni terminin sot apo prej ndonjë jave të kaluar, hyni vetëm pesë persona që mos të bëhet rrëmujë. Nuk mund të hyni në kabinë tjetër. Vetëm në kabinën 6. Kolegë, do t’i dërgoj pesë vetë le të fotografohen. Hyni dhe prisni. Kabina 5 dhe 6”.
Opozita shqiptare akuzon për keq menaxhim duke thënë se kështu po rrezikohet edhe shëndeti i qytetarëve.
“Nga ajo që shihet këtu, janë radhët e gjata të qytetarëve, në temperature të larta që presin nga 3 apo 4 orë për të aplikuar për dokumente personale. Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa para disa ditësh ka denoncuar këtë rast me MPB-ja me apel për të ndërmarrë diçka që të evitohen këto radhë të gjata, sidomos në temperaturat e lartë të ditëve të fundit”, tha Shefik Duraku – zëdhënës i ASH-së.
Nga Ministria e Brendshme mohojnë informacionet se nuk ka pasaporta dhe sqarojnë se vetëm një periudhë të caktuar ka pasur fluks të shtuar.
“Në një moment të ditës patëm një turmë më të madh njerëzish që kishin termin të enjten dhe të premten dhe erdhën për të përmbushur të drejtën e tyre për t’u fotografuar për pasaportë. Dua t’u dërgoj një mesazh të qartë qytetarëve, se pasaporta ka. Mos bini pre e gënjeshtrave të disa politikanëve të opozitës dhe portaleve të caktuara. Ka pasaporta të mjaftueshme dhe çdo qytetar që ka aplikuar për pasaportë do ta marrë atë”, deklaroi Toni Angellovski – zëdhënës i MPB-së.
Kanë reaguar edhe nga VMRO-DPMNE . Thonë se situata të tilla ndodhin për shkak të papërgjegjësisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme.
