“Titaniku” i Çairit, ASH-AAA me USB ia dërgon Prokurorisë hulumtimin e IRL

TË FUNDIT

Koalicioni opozitar Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa deri tek Prokuroria Themelore Shkup, ka dorëzuar video materialin hulumtues për objektin “Titanik” që e publikoi IRL. Nënkryetarja e partisë Bujare Abazi thotë se Prokuroria Publike nuk ka ndërmarrë asnjë veprim dhe është bërë krejtësisht e verbër para një objekti që banorëve të Çairit ua zë edhe diellin.

 “Ne sot jemi këtu për t’i dorëzuar Prokurorisë video materialin në USB edhe pse prokuroria duhej të reagonte pas publikimit të skandalit. Por kjo prokurori si edhe shumë institucione të tjera duket që nuk ka kohë të merret me skandalet e pushtetit, pasi është e zënë duke ndjekur vetëm qytetarë të pafuqishëm politikisht dhe ata që nuk janë në një linjë me pushtetin. Sidoqoftë ne do t’ua dorëzojmë materialin për t’ua marrë argumentin e fundit se nuk kanë qenë në dijeni dhe nuk do të dorëzohemi nga lufta për drejtësi edhe përkundër zhgënjimit nga këto institucione”, deklaroi Bujare Abazi nga koalicioni ASH-AAA.

Gazetarët e Investigative Reporting Lab (IRL) në episodin e fundit kanë hulumtuar se kush qëndron pas ndërtesës ilegale në “Titanik” në lagjen Serovë në komunën e Çairit e cila përbëhet nga dy objekte pa leje. Duke sqaruar procesin hulumtues përmes deklaratave, kjo redaksi zbardhi detaje në lidhje me pronarët e tokës. Megjithatë edhe pse ka një javë që është publikuar ky hulumtim, ende nuk ka asnjë përgjigje nga Prokuroria Publike se a do të hapin hetim.