Të paktën dhjetë policë të lënduar, dëmtohen ndërtesa e qeverisë dhe e Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe janë dëmtuar edhe automjete të policisë, një pjesë e dekorimit të Vitit të Ri u shkatërrua, pemët për festat e fundvitit u dogjën, ky është bilanci nga protesta e mbajtur dje në Tiranë, njoftoi korrespondentja e MIA-s.
Protesta treorëshe filloi para Ministrisë së Punëve të Brendshme ku u hodhën sende të forta duke e kërkuar dorëheqjen e Ministrit Sandër Leshaj, vazhdoi përpara Qeverisë, më pas përpara Bashkisë së Tiranës, ndërsa më pas në Sheshin “Skenderbej”. Gjithashtu u hodhën gurë dhe sende të tjera.

Kishte përpjekje për të hyrë në Qeveri me forcë, por aty ndërhynë anëtarët e njësisë speciale të policisë, si dhe rojet dhe strukturat e tjera të policisë.
Kur protesta u përshkallëzua në dhunë mbi pronën, policia u detyrua të përdorë gaz lotsjellës, pas së cilës protestuesit u shpërndanë.
Protesta u organizua nga qytetarët përmes rrjeteve sociale nën moton “Edhe ne jemi Klodiani”, pas vrasjes së djeshme të 25-vjeçarit Klodian Rasha, në lagjen Laprak në Tiranë.
Protesta kishte edhe në qytetet tjera, Gjirokastër, Vlorë, Durrës.

Menjëherë pas protestës punonjësit e Bashkisë së Tiranës janë mobilizuar menjëherë pas përfundimit duke mbledhur dhe pastruar gurë, pllaka dhe çdo mjet të përdorur për të goditur godinën e Kryeministrisë dhe kordonin e policisë nga protestuesit.Disa prej institucioneve më të rëndësishme, njofton Top Channel, duke nisur nga Kryeministria, Ministria e Brendshme, madje dhe Bashkia e Tiranës u sulmuan me objekte të forta nga protestuesit e zemëruar, pa kursyer as dritat, pemët dhe zbukurimet për festat e fundvitit. Ndërhyrja e Bashkisë me ekipet e saj kthen gjithçka në normalitet për qytetarët.
