Një pjesë e aktivistëve të VMRO-DPMNE-së së bashku me avokatin Jovica Strashevski u mblodhën para shtabit qendror të VMRO-DPMNE-së për t’i thirrur qytetarët në protesta masive, pa ose me kryesinë aktuale të partisë. Ai tha se është mjaft më me përçarjet partiake dhe degët, është kohë që të bashkohen të gjithë simpatizuesit e VMRO-DPMNE-së.
“Tubimi i sotëm nuk është për të bërë ndarje në VMRO-DPMNE, nuk do të kërkojmë dorëheqje ose kongres të jashtëzakonshëm, nuk është tubim për ndarje. Ky tubim është që t’i bëjmë thirrje dhe të zgjojmë udhëheqësinë aktuale që të inkurajojë proteste masive kundër qeverisë jopopullore deri te fitorja finale e VMRO-DPMNE”, tha Jovica Strashevski nga VMRO-DPMNE.
Pyetjes se pse nuk janë pjesë e protestave të deritanishme të organizuara nga kryesia e VMRO-DPMNE, Strashevski u përgjigj se kjo nuk duket si protestë për shkak se shumë pak njerëz kanë dalë për të protestuar.
“Protestat që po bëhen nuk i ngjajnë protestave, janë shumë të vogla, jo më shumë se kam unë këtu sot. Kur unë si Jovica mund të mbledh kaq njerëz, për VMRO-DPMNE nuk është problem që të mbledhim 10 mijë qytetarë dhe të bëjmë protestë masive”, u shpreh Jovica Strashevski nga VMRO-DPMNE.
Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Dimçe Arsovski këtë tubim e quajti një shëtitje dhe të stimuluar nga LSDM-ja.
“Jovica Strashevski mund të protestojë me VMRO-DPMNE së bashku kur të dëshirojë. Për shembull protesta e fundit ishte pardje. Shumë keq që Jovica nuk ishte aty për të na dhënë mbështetje kundër Zoran Zaevit. Përveç se nëse shëtitja e tij para godinës së VMRO-DPMNE nuk është e stimuluar nga LSDM, përkatësisht kundër-protestë e protestës sonë”, deklaroi Dimçe Arsovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Nuk ka informacion se kur do të organizohen këto protesta por thonë se motivi është që të zgjojnë dhe të inkurajojnë anëtarësinë për protesta masive për rrëzimin e, siç thonë, pushtetit aktual.
