Thirrja e Putinit për mobilizim/A do të shkojnë në luftë sportistët rusë?

TË FUNDIT

Zyrtarisht, 300 000 rezervistë nga mosha 18 deri në 65 vjeç janë thirrur nga Vladimir Putin për të shkuar në frontin e Ukrainës. Kanë dalë edhe pamjet e ushtarëve që ndahen nga familjet dhe i përgjigjen kërkesës së Ministrisë së Mbrojtjes për të marrë trajnime shtesë, së bashku me shpërblimin përkatës, përpara se të dërgohen në luftë.

Por, si funksionon për sportistët? A do të mobilizohen edhe ata? “Sport-Express”, një medium sportiv rus i themeluar në vitin 1991 nga gazetarët e Sovetsky Sport, gazeta më e vjetër sportive në Bashkimin Sovjetik, ka hetuar për të ofruar disa përgjigje në lidhje me këtë.

“Nëse sportistët janë ushtarë rezervë ose oficerë, deri në moshën 35-vjeçare teorikisht mund të thirren si pjesë e mobilizimit të pjesshëm. Kontratat me klubet sportive profesionale nuk janë pengesë. Është planifikuar të thirren njerëz me përvojë luftarake, kështu që ka të ngjarë që të ketë shumë kandidatë të tillë në mesin e sportistëve”, lexohet në gazetë.

Përveç kësaj, e njëjta gazetë u ka kërkuar shpjegime edhe anëtarëve të qeverisë.

“Do të jetë Ministria e Mbrojtjes e Federatës Ruse ajo që do të informojë, por mbi të gjitha ka mundësi që të prekë sportistët me gradën e oficerëve, nëse janë pjesë e CSKA-së apo Dinamos. Ata që kaluan nëpër kompani sportive kishin specialitete ushtarake, që do të thotë se me shumë mundësi do të përfshihen në mobilizim të pjesshëm”, thotë Svetlana Zhurova, deputete e Dumës Shtetërore të Federatës Ruse. “Së shpejti do të mund të jap informacion të saktë. Tani askush nuk mund të japë informacion të vërtetë. Të gjithë ata që përgjigjen për këtë temë tani po flasin kot”, shpjegon Dmitry Svishchev, kryetar i komitetit të Dumës për kulturën fizike dhe sportet.