Ministrja e Financave akuzoi opozitën se përhap panik dhe gënjeshtra rreth funksionimit të thesarit shtetëror dhe pagesave drejt institucioneve. Ajo tha se qëllimisht shpërndahen të pavërteta, edhe pse LSDM duhet të dijë se procedurat në thesarin shtetëror nuk janë ndryshuar që nga koha kur ata ishin në pushtet.
“Çdo institucion duhet të dorëzojë urdhërpagesat deri më datë 15-të, për të mundësuar organizimin dhe për të ndjekur pagesat deri më 31 dhjetor. Duhet të theksoj se disa procedura nuk janë vendosur nga unë si ministre, por ekzistojnë nga e kaluara. Së pari, ekziston udhëzimi që urdhërpagesat qëndrojnë në thesarin për 15 ditë për të bërë kontrolle shtesë, për të parë nëse janë në përputhje me shpenzimet, nga cilat programe dhe nënprograme vijnë, etj”, tha Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Për shkak të nevojës për kontrollime dhe rrëmujës para Vitit të Ri, u vendos ky afat për dorëzimin e urdhërpagesave. Sa i përket mbledhjes më të dobët të të ardhurave në buxhet, Ministrja tha se duhet të presim deri në fund të vitit për të parë nëse do të ketë devijime nga plani për vitin 2025.
“Para disa ditësh dëgjuam një deklaratë histerike se 60 miliardë nuk do të mblidhen. Sot, deri të premten, do të shihni që nuk është kështu. Deri tani janë mbledhur 315 miliardë denarë, duke përfshirë kalendarin tatimor siç shkon”, deklaroi Dimitrieska-Koçoska.
Ajo shpjegon se tatimi mbi fitimin mblidhet deri më datën 10-të , tatimi mbi të ardhurat personale deri më 15-të, dhe TVSH deri më 25. Ministrja pret që thesari të plotësohet edhe me tatimet që lidhen me pagesën e pagës së janarit, e cila disa kompani do ta paguajnë në dhjetor, para Vitit të Ri.
Gjithashtu, Dimitrieska-Koçoska theksoi se buxheti është likuid, nuk ka probleme me kreditin prej 30 milionë eurosh nga një bankë komerciale, dhe është e kënaqur me faktin se qytetarët kanë blerë obligacione shtetërore në vlerë 33 milionë euro.
Përveç kësaj, gjatë disa ditëve të fundit LSDM ka akuzuar se të ardhurat në buxhet janë të ulëta, mungonte një miliard euro dhe se më 15 dhjetor, pra sot, thesari do të ishte i mbyllur.
