“The Telegraph”: Vuçiq akuzohet për përfshirje në grupin “snajperë safari”, që vranë civilë në Sarajevë

TË FUNDIT

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është akuzuar për përfshirje në atë që po quhet “snajperë safari” në Sarajevë gjatë luftës në Bosnjë, ku të huajt e pasur dyshohet se kishin paguar shuma të mëdha për të qëlluar drejt civilëve, raporton gazeta britanike The Telegraph.

Sipas artikullit, Vuçiq dyshohet se ka qenë i pranishëm në një prej pozicioneve ushtarake mbi qytet, ku të huajt paguanin për të qëlluar me armë në drejtim të civilëve gjatë rrethimit mes viteve 1992 dhe 1996. Pamje video të publikuara tregojnë presidentin serb si burrë i ri duke udhëtuar në një automjet.

Pretendimet kundër Vuçiqit – të cilat ai i ka mohuar fuqishëm – janë bërë nga gazetari hulumtues kroat, Domagoj Margetiq. Ky i fundit ka dorëzuar një ankesë te prokurorët italianë, të cilët tashmë po hetojnë pretendimet se disa shtetas italianë, rusë dhe amerikanë kanë marrë pjesë në “snajperë safari” gjatë konfliktit.

Margetiq deklaroi: “Kam informuar zyrën e prokurorit publik për të gjitha njohuritë e mia mbi lidhjen e Aleksandar Vuçiqit me safarin me njerëz në Sarajevën e kohës së luftës. Kam bashkëngjitur të gjitha dëshmitë, video-materialet, dokumentacionin me foto, audio dhe video, si dhe dokumentimin medial nga ajo periudhë.”

Në ankesën e tij, gazetari kroat pretendon se Vuçiqi ishte “anëtar i një detashmenti paramilitar, nën kontrollin e Partisë Radikale Serbe nga Serbia, gjatë viteve 1992-1993.” Njësiti ishte stacionuar në varrezat hebraike në Sarajevë, të cilat sipas tij ishin përdorur si pozicione snajperësh nga forcat serbe.

Më shumë se 10 mijë njerëz humbën jetën nga predhat dhe zjarri i snajperëve gjatë rrethimit të qytetit. Margetiqi shtoi se të dhënat e vendosin Vuçiqin “pa asnjë dyshim në kohën dhe vendin e këtyre krimeve” dhe përmendi pamje video nga viti 1993, ku sipas tij, presidenti shihet duke mbajtur një pushkë.

Përkrahësit e Vuçiqit kanë mohuar pretendimet, duke thënë se objekti që shihet në video ishte një tripod i kamerës televizive, që Vuçiqi po e mbante sepse atëkohë punonte si gazetar. Vetë Vuçiq ka deklaruar se objekti që shihet në video ka qenë një çadër.

Suzana Vasiljeviq, zëdhënëse e presidentit, i tha gazetës The Telegraph: “Pretendimet e gazetarit kroat Domagoj Margetiq paraqesin një rast tipik të dezinformimit dashakeq, të ndërtuar qëllimisht për të dëmtuar kredibilitetin institucional të Republikës së Serbisë dhe presidentit të saj.”

Ajo shtoi se: “Presidenti Vuçiq nuk mori pjesë në aktivitete luftarake, nuk përdori armë dhe nuk pati asnjë rol në asnjë operacion të kohës së luftës.”