“The Telegraph”: Trump do t’i ofrojë Putinit qasje në minerale të rralla në këmbim të paqes

TË FUNDIT

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po përgatitet t’i ofrojë homologut të tij rus, Vladimir Putin, qasje në minerale të rralla në përpjekje për ta bindur atë të japë fund luftës në Ukrainë, raporton portali britanik Telegraph.

Ai pritet të mbërrijë nesër në Ankorixh për një takim shumëpritur me Putinin, duke paraqitur një sërë propozimesh që mund t’i sjellin Rusisë fitime të konsiderueshme. Sipas Telegraph, ato përfshijnë hapjen e resurseve natyrore të Alaskës për Moskën dhe heqjen e disa sanksioneve amerikane ndaj industrisë ruse të aviacionit.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Besent, është ndër ata që do ta informojnë Trumpin para takimit me Putinin. Besent po shqyrton koncesionet ekonomike që SHBA mund t’i ofrojë Rusisë për të përshpejtuar arritjen e një armëpushimi.

Një nga propozimet kryesore përfshin dhënien e aksesit në mineralet e rralla në territoret ukrainase që aktualisht janë nën okupimin rus.

“Gama e stimujve përfshin marrëveshje të mundshme për minerale të rralla,” tha një burim i njohur me propozimet.

Në maj, SHBA dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje për minerale të rralla, e cila lejon shfrytëzimin e resurseve ukrainase, por hapja e minierave të reja do të kërkonte edhe bashkëpunimin rus. Ukraina ka rreth 10% të rezervave globale të litiumit, të cilat janë thelbësore për prodhimin e baterive, dhe dy depozitat më të mëdha ndodhen në territoret e kontrolluara nga Rusia. Putin po kërkon t’i përvetësojë këto resurse.

Një stimul tjetër i mundshëm për Rusinë është heqja e ndalesës për eksportin e pjesëve dhe pajisjeve të nevojshme për mirëmbajtjen e aeroplanëve rusë. Sanksionet perëndimore që nga fillimi i invazionit në vitin 2022 kanë penguar qasjen e Rusisë në këto pjesë kyçe.

Trump gjithashtu po shqyrton një ofertë që i lejon Rusisë të shfrytëzojë resurset natyrore në Ngushticën e Beringut, që ndan Alaskën nga Rusia. Zona thuhet se përmban rezerva të mëdha të pazbuluara të naftës dhe gazit.

Burime qeveritare britanike kanë deklaruar se stimulime të tilla mund të jenë të pranueshme për Evropën nëse nuk interpretohen si një shpërblim për Putinin.

Shtëpia e Bardhë po përpiqet të ulë pritshmëritë para samitit. Trump tha se me gjasë do të mësojë “brenda dy minutave të para” nëse Putini është serioz lidhur me paqen.