Thaçi: Kosovën nuk mund ta nënshtrojë askush
Kosova nuk do të marrë pjesë në Samitin për Procesin e Bashkëppunimit në Evropën Juglindore në Bosnjë. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka sqaruar një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të ftesës nga ana e Bosnjës të cilën Thaçi e ka quajtur denigruese.
“Përkundër vullnetit dhe gatishmërisë për të marrë pjesë në Samitin për Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), ftesa denigruese e kryetarit aktual të kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, e bënë të pamundur pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e Kosovës në këtë takim. Kosova gjithmonë ka qenë dhe është e gatshme për marrëdhënie të mira fqinjësore me Bosnje e Hercegovinën dhe për njohje reciproke. Por, fatkeqësisht, ky vullnet i ynë është keqpërdorur në vazhdimësi, njësoj sikurse tani me rastin e organizimit të SEECP-së nga Bosnja e Hercegovina. Minimumi që kërkon Kosova për pjesëmarrje në forume të tilla është trajtimi i barabartë me shtetet tjera pjesëmarrëse.”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Tutje ai ka thënë se Bosnja po aplikon praktika antievropiane ngjashëm si Serbia. Po ashtu presidenti ka potencuar se pavarësisht që Kosova është e interesuar për fqinjësi të mirë, nuk pranon të nënshtrohet.
“Sjellja e Bosnjës dhe Hercegovinës është e papranueshme dhe paradoksale, meqë përfaqësuesit e saj aplikojnë praktika tërësisht antievropiane, që nuk dallojnë me ato të Serbisë. Me një qasje të tillë destruktive, bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor mbetet një parakusht i paarritshëm në rrugën për anëtarësim në BE. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për fqinjësi të mirë, bashkëpunim rajonal dhe të ardhme euroatlantike, mirëpo nuk pranon të nënshtrohet dhe të diskriminohet nga askush.”, ka përfunduar Thaçi./21Media
