Zonja e parë e SHBA-së, Melania Trump, ka kërcënuar se do të padisë Hunter Biden-in për mbi një miliard dollarë, pasi ai deklaroi se abuzuesi i dënuar seksual, Jeffrey Epstein, e kishte njohur atë me bashkëshortin e saj, presidentin amerikan Donald Trump, raportoi BBC.
Avokatët e zonjës së parë, e cila u martua me Trump-in në vitin 2005, e kanë përshkruar deklaratën e Biden-it si “të rreme, ofenduese, shpifëse dhe provokuese”. Në një letër drejtuar avokatëve të Hunter Biden-it, kërkohet tërheqja e menjëhershme e pohimit dhe kërkim-falja publike, duke paralajmëruar padi për “dëme që mund të tejkalojnë një miliard dollarë”. Sipas tyre, zonja e parë ka pësuar “dëm të madh financiar dhe në imazh” nga deklarata e përsëritur e Biden-it.
Biden, djali i ish-presidentit Joe Biden, e bëri këtë pohim më herët gjatë muajit, në një intervistë ku kritikonte ashpër lidhjet e dikurshme të Trump-it me Epstein-in. Trump ka pranuar se e ka njohur Epstein-in, por ka theksuar se marrëdhëniet mes tyre u ndërprenë në fillim të viteve 2000, pasi Epstein i kishte rrëmbyer punonjës nga qendra e tij spa në Florida.
Në bisedë me regjisorin Andrew Callaghan, Biden tha: “Epstein e njohu Melanian me Trump-in – ato lidhje janë shumë të gjera dhe të thella.”
Avokatët e zonjës së parë pretendojnë se Biden është mbështetur në një artikull të portalit amerikan Daily Beast, i cili më pas u hoq pasi ekipi ligjor i Melania-s e kontestoi përmbajtjen dhe titullin. Artikulli, që citonte pjesërisht gazetarin Michael Wolff, aludonte se Melania kishte qenë e lidhur me një të njohur të Epstein-it dhe Trump-it para se të njihte bashkëshortin e saj të tanishëm.
Daily Beast e tërhoqi shkrimin dhe kërkoi falje “për çdo konfuzion apo keqkuptim”. BBC thekson se nuk ka prova që Melania dhe Trump janë njohur përmes Epstein-it, i cili në vitin 2019, sipas autoriteteve amerikane, kreu vetëvrasje në burg ndërsa priste gjykimin për akuzat e shfrytëzimit seksual të të miturve.
Avokati i zonjës së parë, Alejandro Brito, e drejtoi BBC-në tek deklarata e ndihmësit të saj, Nick Clemens: “Avokatët e zonjës së parë, Melania Trump, po punojnë aktivisht për të siguruar tërheqje dhe kërkim-falje urgjente nga ata që përhapin gënjeshtra shpifëse.”
Një profil i revistës Harper’s Bazaar nga viti 2016 tregon se Melania dhe Trump janë njohur në nëntor të vitit 1998, gjatë një feste të organizuar nga pronari i një agjencie mode.
Letra e avokatëve vjen në kohën kur Shtëpia e Bardhë përballet me presion për të bërë publike dosjet e Epstein-it – dokumente nga hetimet për pedofilin e dënuar. Para rizgjedhjes së tij, Trump pati premtuar se do t’i publikonte këto dosje nëse rikthehej në Shtëpinë e Bardhë, por në korrik FBI dhe Departamenti i Drejtësisë deklaruan se nuk ekziston një listë “inkriminuese” e klientëve të Epstein-it.
