Tetovë, riparimi i “Rrugës së Butiqeve” do të kushtojë 20% më shumë se shuma e parashikuar fillimisht

TË FUNDIT

Projekti për rehabilitimin e “Rrugës së Butiqeve” në Tetovë, me qëllim që të rikthehet identiteti artizanal, pritet të kushtojë 20% më shumë se shuma e parashikuar fillimisht. Ky projekt është fituar nga Bashkimi Evropian përmes Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale që nga viti 2019, por tenderimi për të realizuar projektin u bë 4 vite më vonë, në vitin 2023. Ndërkohë, në treg ka ndodhur rritja e çmimeve dhe pritet që ekipi i Bashkimit Evropian të vizitojë këtë zonë dhe të japë më shumë fonde se sa ishin parashikuar fillimisht.

 “Komplet procedura është bërë apo është fituar projekti në vitin 2019 ndërsa, prokurimi është bërë në vitin 2023. Në atë kohë çmimet kanë qenë më të ulëta dhe tash e dimë se janë rritur çmimet dhe delegacioni i Bashkimit Europian ka pasur pengesa edhe në komunën e Prizrenit”, tha Besar Durmishi – Komuna e Tetovës.

TV21 vizitoi rrugën e butiqeve për të biseduar me udhëheqësit e bizneseve dhe marrë mendimet e tyre. Ata preferojnë që punimet të mos fillojnë pikërisht kur fillon sezoni i shitjeve.

“Nuk do të ketë sezon, se ata duhet të punojnë rehat. Si mund edhe këmbësorët edhe veturat të ecin!? Punëtori duhet të punojë rehat aq sa e ka atë mëditjen, e jo mos puno tek unë, shko tek ai tjetri. Duhet të gjendet sezoni që nuk u bën dëm atyre që japin tatime dhe nëse ta kanë heqë mundësinë të paguash tatimet, nga t’i paguajmë.”

“Nëse fillon sezoni këtu prishet. Sezoni fillon këtu në gjashtin apo shtatin muaj, është gabim, se punë nuk ka. Ata e presin sezonin edhe çka do bëjnë ata do sjellin vendim si e kanë planin. Zoti hajrin s’di çka të them.”

“Normal se jo, gjithë bizneset do ju pengojë, ajo duhet të gjendet një kohë kur më pak është frekuentimi i myshterive.”

Marrëveshja për riparimin e kësaj rruge u nënshkrua me 3 nëntor të vitit 2022 mes kryetarit të komunës Bilall Kasami edhe ministrit për vetëqeverisje lokale Risto Penov. Ky projekt është fituar së bashku me komunën e Prizrenit të Kosovës.