Rreth 30 të punësuar në fabrikën Teteks Jarn Limidetet, gjatë ditës së sotme protestuan për mos marrjen e rrogave për muajt shkurt dhe mars. Ata thonë se më 3 mars kanë nënshkruar një marrëveshje për tre muaj, ndërsa më 9 mars e njëjta u është ndryshuar me një afat deri në fund të muajit mars.
“Nuk kemi marrë rroga për dy muajt, shkurt dhe mars, me atë se kishim të nënshkruar marrëveshje për tre muaj, më 3 mars të 2020 dhe më 9 mars na ndryshohet marrëveshja duke u bërë e njëjta me afat kohor deri në fund të muajit të tretë të 2020, me çka për tre ditë na ndryshohet marrëveshja dhe nuk janë paguar dy rroga që kemi punuar rregullisht”, tha Aneta Gjorgjeska, Protestuese.
Protestuesit thonë se pronarët janë nga Bullgaria, ata kanë grumbulluar makinerinë kryesore dhe janë larguar.
“Ata që i kishin makineritë e tyre të gjitha i kanë marrë, tonat i kanë lënë, gjithçka është e shkatërruar, nëse keni qasje mund të hyni në kompani dhe të shihni se aty është deponi”, tha Aneta Gjorgjeska, Protestuese.
Gazetarët nuk u lanë që të hynë në këtë fabrikë, ndërsa menaxherja Suzana Manevska nuk u përgjigj në telefon.
Nga SPB – Tetovë, deklarojnë se gjatë ditës së sotme është arrestuar shtetasi i Bullgarisë P.I. që njëri nga menaxherët e kompanisë.
SPB Tetovë: “Nëpunës të policisë së SPB – Tetovë, në Tetovë e kanë privuar nga liria P.I.(56) nga Republika e Bullgarisë, i cili nuk ishte i lajmëruar dhe qëndronte në këtë rajon dhe të cilit në janar të këtij viti i kishte kaluar afati i letërnjoftimit për të huaj. Shtetasi bullgar është mbajtur në Stacionin Policor Tetovë dhe gjatë ditës do t’i dorëzohet Departamentit për krim ndërkufitar, migrime, të huaj dhe riatdhesim në Tetovë për procedurë të mëtutjeshme”.
Në fabrikën Teteks Jarn, kanë punuar 160 persona. Protestuesit thonë se protestat do t’i vazhdojnë derisa ti marrin pagat, dhe këtë rast ata e kanë lajmëruar edhe në komitetin e Helsinkit dhe Inspektoratin e punës.
