Tetovë, ndërtimi i qarkores assesi të nisë! Rustemi: Kemi zgjedhur kompaninë, në fund të tetorit fillojnë punimet

TË FUNDIT

Ende nuk po nisë ndërtimi i Qarkores së Tetovës. U tha se do të nisë në shtator, por ky afat tashmë është shkelur.

“Shpresojmë që nga shtatori do të shihni mekanizmat që do punojnë,  kjo është shumë e rëndësishme për Tetovën”, tha Ejup Rustemi – drejtor np “Rrugët shtetërore” (01.06. 23).

Në një prononcim tjetër drejtori i NP “Rrugët shtetërore” tha se mekanizmat do të nisin me punë në fillim të tetorit.

 “…nga fillimi i tetorit të fillojë edhe me ndërtimin e qarkores së Tetovës e cila do të mundësojë zvogëlimin e komunikacionit brenda Tetovës” , deklaroi Ejup Rustemi – drejtor np “Rrugët shtetërore”.

Në paraqitjen e tij të fundit, në një intervistë për TV21, Rustemi tha se tashmë kompania e ndërtimit është zgjedhur, dhe se po pritet vetëm leja për ndërtim, me çka siç shtoi, kah fundi i tetorit punimet do të fillojnë.

 “Për këtë pjesë të qarkores së Tetovës  dua të informojë qytetarët se është zgjedhur kompania Granit dhe është zgjedhur edhe kompania që do të mbikëqyr punimet. Është një kompani nga Shkupi. Tani presim që këto ditë të marrim lejen për ndërtim dhe në bazë të gjithë gjasave javën e ardhshme do të marrim edhe lejen për ndërtim dhe menjëherë do të fillojmë me punimet për ndërtimin e qarkores së Tetovës. Pra në fund të tetorit, se fjala ime ka qenë se në tetor do të fillojnë punimet”, pohoi Ejup Rustemi – drejtor np “Rrugët shtetërore” (18.10.23).

Ndryshe Qarkorja e Tetovës do të mundësonte që fshatrat e komunës së Tearcës të kenë qasje të drejtpërdrejtë në Korridorin 8, ndërsa do të ishte një  ndihmë edhe për zonën ekonomike në Tetovë. Afati kohorë për ndërtimin e Qarkores është 18 muaj.