Tetovë, këmbësorët viktima të shpeshta! A ka mjaftueshëm shenja të komunikacionit?

TË FUNDIT

Këmbësorët shpesh herë janë viktima në komunikacion. Në rajonin e Pollogut në 3 muajt e fundit  nga aksidentet në trafik  1 person ka humbur jetën, ndërsa 25 këmbësorë janë lënduar.

Nga sektori për punë të brendshme Tetovë, gjegjësisht sektori për komunikacion rrugor thonë se  qytetarët por edhe shoferët duhet të jenë më të kujdesshëm.

 “Dua të apeloj tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion e sidomos tek këmbësorët pasi që në bazë të dhënave tona kjo kategori është më shumë e kërcënuar, dhe gjithashtu të respektojnë  rregullat, të jen të kujdesshëm kur e kalojnë rrugën dhe atë ta bëjnë në bazë të rregullave  në vendet ku ka të shënuar vendkalim për këmbësor dhe në dritën jeshile”, tha Zoranço Talev,  Sektori komunikacion rrugor Tetovë .

Profesori i komunikacionit Blerim Neimi thotë se në Tetovë dhe në rajon nuk ka mjaftueshëm shenja të komunikacionit.

 “Drejtuesit të jenë më të kujdesshëm, sinjalizimi në komunikacion të jetë shumë ma prezentë  dhe respektimi i tyre nga ana këmbësorëve. Ata nuk duhet të kalojnë rrugën në vende jo të duhura, të respektojnë zebrat, sinjalizimin ndri­çues dhe në bazë të analizave që jemi duke bërë kohën e fundit, është se duhet të ketë më shumë ndriçim në vendet ku vozitësit kanë hapësirë për vozitje më të lartë”, theksoi Blerim Neimi, profesor i komunikacionit.

Në vitin 2021 në rajonin e Pollogut kemi pasur katër viktima nga ku tre ishin këmbësorë. Për këtë shkak edhe nga SPB Tetovë, thonë se kanë shtuar kontrollet edhe ndaj këmbësorëve, por edhe ndaj shoferëve që  vozisin shpejtë. Ekspertët gjithashtu sugjerojnë që në shkolla fillore të ketë lëndë  të komunikacionit.