Tensionin e gjakut kryetari i Tetovës e kishte në rregull, ndërsa pas matjes ai vizitoi dy tende ku u ëmbëlsua me çokollatë, të cilën ia dhuruan nxënësit e Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Tetovë për të shënuar Ditën Botërore të Shëndetësisë.
“Me këtë ne kontribuojmë në vetëdijesimin e qytetarëve sa i përket shëndetit të tyre dhe masat që duhet të marrin për parandalim të sëmundjeve të ndryshme”, tha Bilall Kasami – kryetar i Tetovës.
Ndërsa arsimtarët dhe infermierët theksuan se qëllimi i aktivitetit ishte të japin këshilla për ruajtjen e shëndetit dhe promovimin e programeve të tyre.
“Me rastin e ditës shëndetësisë 7 prillit, kemi organizuar disa aktivitete që janë bazike për profesionin tonë, matja e glikemisë, tensionit masazhe të lehta dhe këshilla mjekësore. Këshilla e ditës që do iu kisha dhënë banorëve sot është, më mirë të parandalohet se sa të mjekohet”, u shpreh Besa Leka – infermiere .
“Jemi bashkë me nxënësit dhe profesorët e praktikës në shesh, dhe jemi angazhuar për shëndetin e qytetarëve. Si profesionistë të së ardhmes në shëndetësi nxënësit tanë dijet e tyre të mara nga praktika, sot i vënë në shërbim të qytetarëve dhe me këtë japim një mesazh të fortë për ndërgjegjësimin e ruajtjes së shëndetit publik”, tha Malësore Ramadani – drejtoreshë e SHMM Mjekësisë .
Problemet më të shpeshta të banorëve të Tetovës, sipas kontrolleve të kryera, ishin niveli i sheqerit në gjak dhe tensioni, duke mos përjashtuar edhe sëmundjet e ekstremiteteve.
