Tetovë: Afrohet rreziku nga sëmundjet ngjitëse

TË FUNDIT

Shenja përmirësimi të gjendjes shëndetësore të një pjese të banorëve të Reçicës së Vogël, edhe pse sipas tyre, nëse Komuna nuk përshpejton procesin e pastrimit të mbeturinave, epidemitë mbeten evidente. Pas dezinfektimit të shtëpive dhe oborreve të tyre nga Instituti i Shëndetit Publik, të cilët po ashtu kanë shpërndarë edhe medikamente për fëmijët dhe të moshuarit që shfaqën simptoma sëmundjesh në lëkurë, sot gjendja në mes të banorëve ishte më e qetë. Megjithatë, ata kërkuan dezinfektim të shpeshtë të oborreve, deri në largimin e mbeturinave. Banorët po përpiqen t’i pastrojnë ato në mënyrë private, por duke u vënë gjithnjë në ballë të rrezikut për infektim. Procesi i pastrimit dhe dezinfektimit bëhet akoma më i vështirë në këtë fshat, për shkak edhe të ujit të ndotur i cili nuk mund të përdoret as për pastrim.

“Fëmijët ja ku i kam i solla mbrëmë, mirë janë njëherë, na sollën ca ilaçe kur erdhën dhe spërkatën nga shëndetësia. Tash për tash janë mirë iu ka kalu, blemë edhe barna ata të spitalit, që e spërkatën shtëpinë oborrin dhomat brenda bodrumet, tash për tash janë mirë fëmijët. Jo jo ndihmë nuk kemi prej askujt privat e solla këtë ekskavatorin krejt e paguam prej xhepi askush s’na paguan, kërkuam ndihmë po na thanë vet duhet ti bëni se duhet ti pastrojmë rrugët kryesore”.

“Fëmijët i kam largu, njëri djalë ka ende pak ca infektime, ndërsa të vegjlit i kam largu kah dajallarët i kam shpërngul. Jemi tu pastrua krejt me mjetet tona me njerëzit tonë me shpenzimet tona, kam pas shumë dëme kam largu 100 traktor me material prej oborri”.

“Nuk janë mirë fëmijët i çova tek gjyshi i tyre janë vërtetë në tmerr prej pluhurit”.

Zëvendës drejtori i Qendrës për mbrojtje dhe Shpëtim, Ekrem Zendeli, ka kërkuar nga banorët që të durojnë edhe sot ndërsa ka paralajmëruar se nga dita e nesërme, do futen edhe në pastrimin e oborreve të shtëpive.

“Sonte apo nesër do e kemi trupin koordinues ku do bëjmë plan për pastrimin e oborreve, sepse në Reçicë të Madhe ai plan u realizua dhe janë pastruar edhe oborret e shtëpive”, tha Ekrem Zendeli, Zv/drejtor i Agjencisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Ndërkaq, edhe nga Instituti i Shëndetit Publik thonë se dezinfektimi do të vazhdojë për çdo ditë deri në pastrimin e tërësishëm të mbeturinave. Ai bëri apel që banorët të paraqiten në Komunë, për të kërkuar ekip dezinfektimi, ndërsa në raste simptomash infektimi, të paraqiten te spitali i Tetovës.