Tetovë, 7 të vdekur dhe 111 pacientë të shtruar në spital

TË FUNDIT

Në Tetovë situata vazhdon të jetë kritike me të infektuarit. Vetëm gjatë ditës së djeshme në spital janë shtruar edhe 15 pacientë të rijnë të infektuar me Covid-19 dhe numri i përgjithshëm shkon në 111 persona që marrin terapi me oksigjen në Tetovë, kurse shtatë persona nuk kanë mundur të fitojnë betejën me Covid-19 dhe kanë ndërruar jetë. Në 24 orët e fundit ndihmë mjekësore kanë kërkuar 192 pacientë me çka vetëm për 24 orë në Tetovë janë trajtuar 303 pacientë në pesë reparte mjekësore.

Por në anën tjetër numri i atyre që duan të vaksinohen është rritur dukshëm. Javën e fundit në Tetovë në ditë vaksinohen mbi 2000 persona. Mjeku Besnik Mustafai thotë se në Tetovë janë të gjithë llojet e vaksinave, ndërsa ata që kanë simptoma fillimisht duhet të konsultohen me mjekun amë.

“Javën e fundit kemi një interesim shumë të madh për tu vaksinuar kemi mbi 2 mijë pacientë për tu vaksinuar. Kemi mbi 2 mijë deri në 2500 pacientë çdo ditë në Tetovë dhe ky vaksinim zhvillohet në dy punkte në Tetovë, në sallën e shkollës së mjekësisë dhe në shtëpinë e shëndetit në Tetovë. Qytetarët që janë në dyshim se a duhet ta marrin vaksinën se janë më grip apo ndonjë simptomë fillimisht duhet të konsultohen me mjekun amë”, deklaroi Mustafai.

Në spitalin e Tetovës për tre javë rresht nuk kishte asnjë të shtruar në spital, ardhja e mërgimtarëve, organizmi i dasmave bëri që virusi të përhapet shumë shpejtë, dhe brenda tre javësh qyteti i Tetovës u shndërrua një vatër infektimesh. Në Tetovë për momentin kemi mbi 1100 raste aktive të të infektuarve , por mendohet se numri të jetë akoma më i madh pasi mjekët thonë se vetëm në përkeqësim të gjendjes shëndetësore qytetarët paraqiten në spital.