Tetova pa banesa sociale sepse s’ka plan urbanistik! Boçvarski: Jemi të hapur. Durmishi: Punojmë për planin gjeneral

TË FUNDIT

Në Tetovë nuk ka banesa sociale sepse, sipas Ministrit për Transport dhe Lidhje, Bllagoj Boçvarski, Komuna nuk ka aplikuar. Shprehet se Qeveria është e hapur që të ndërtohen këto sociale, por nga ana e komunës ende nuk u ka arritur ndonjë kërkesë.

“Që të gjendet mjete dhe mundësi për banesa të këtilla sociale, komuna është ajo që e menaxhon zonën dhe në cilën pjesë dhe çfarë lloji të ndërtesës planifikon që të ndërtohet. Qeveria është e hapur, nëse ka një kërkesë të tillë me vëmendje ta shikojmë dhe të përpiqemi të gjejmë mjete duke e pasur parasysh se vitin që e lam pas, bëmë një rekord në realizimin banesa sociale në katër qytete si Gostivar, Probishtip, Koçan dhe Vinicë. Te ne në Ministrinë për Transport dhe Lidhje nuk ka arritur ndonjë kërkesë për banesë sociale, por nëse arrin, normal që do e shikojmë”, tha Blagoja Boçvarski, ministër i Transportit dhe lidhjeve.

Kryesuesi i Këshillit komunal të Tetovës, Besar Durmishi, thotë se komuna është duke e përgatitur një plan të detajuar urbanistik dhe se në lagjen e komunitetit rom planifikohet të ndërtohen banesa sociale.

“Diku dy vite do të merr plani gjeneral dhe më pas do nisen të punohen planet e detajuara se ku të zgjerohet qyteti apo të parashihen leje ndërtimi të ndërtesave të ndryshme apo siç janë ndërtesa sociale, ne kemi paraparë në rrugën industrial ku në atë pjesë jeton komuniteti rom, ne kemi nisur që të punohen nga arkitekte që janë në bashkëpunim me komunën e Tetovës për një plan të detajuar urbanistik në atë zonë, normal ku do të përfundojë ajo procedurë, do të merr 6 muaj por dhe më shumë për atë zonë edhe do të aplikojmë në ministri për banesa sociale por do shohim dhe mundësi tjera me donatorë por edhe me mjete vetanake për rastet sociale që janë në komunën e Tetovës”, tha Besar Durmishi, kryesues i Këshillit komunal të Tetovës.

Sipas Durmishit në Tetovë duhen përafërsisht 100 banesa sociale për familje që janë drejtuar deri tek komuna për një gjë të tillë. Tetova nga viti 2013 nuk ka plan gjeneral urbanistik edhe kjo përbën pengesë për marrjen e shumë lejeve ndërtimore por edhe për zgjerimin e qytetit.