Kryetar komunash nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Presheva, por edhe arbëreshë nga Italia, sot ishin në Tetovë në mbledhjen e Unionit të Bashkive Shqiptare në rajon. Nikoqiri i kësaj mbledhjeje, kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, prezantoi qendrën e inovacionit për të rinj.
“Sot do të promovojmë edhe një projekt tjetër në Tetovë, së bashku me Unionin e Bashkive Shqiptare, që ka të bëjë me qendrën e inovacionit për të rinjtë, ku sipas modelit të Tiranës, edhe në Tetovë, në kuadër të qendrës për kulturë dhe të rinj, do të kemi një qendër të tillë ku të rinjtë tanë do të mund të aftësohen për tregun e punës dhe sfidat që i presin sa i përket inovacionit”, tha Bilall Kasami – kryetar i Komunës së Tetovës.
Nënkryetar i Unionit të Bashkive Shqiptare, por edhe kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se ky union më shumë realizon projekte kulturore dhe bën promovimin e turizmit.
“Në kuadër të Unionit të Bashkive Shqiptare janë zhvilluar disa projekte që më shumë kanë të bëjnë me aspektin kulturor, zhvillimin e traditës sonë dhe zhvillimin e asaj tradite kulturore, vlerave të zhvilluara për promovimin e kombit tonë, kulturës së tij, për të dhënë një kontribut tonë për zhvillimin e turizmit, pasi që e dimë se turizmi është një komponent shumë i rëndësishëm edhe në aspektin ekonomik”, pohoi Shaqir Totaj – kryetar i komunës së Prizrenit.
I pyetur për rrugën Prizren – Tetovë, Totaj tha se atje po punohet, por qeveria e Kosovës nuk është transparente dhe nuk kanë shumë informacione.
“Kjo rrugë nuk mund të ndërtohet pa pasur bashkëpunim mes dy qeverive! Nuk e di sa ka bashkëpunim, nuk e di sa ka nënshkrim të marrëveshjeve. Në Kosovë ka punime që po realizohen. Ne po ballafaqohemi me mungesë të transparencës dhe me mungesë të informacioneve të sakta se çka po punohet, në çfarë drejtimi po punohet edhe shumë informacione të tjera që do të duhej të ishin publike, që ne nuk i kemi. Por projekti si i tillë, ideja për një projekt të tillë gjithsesi duhet të përshëndetet dhe duhet të besojmë se do të realizohet”, tha Shaqir Totaj – kryetar i komunës së Prizrenit.
Unioni i Bashkive Shqiptare në rajon është themeluar në vitin 2019. Ndërsa qëllimi është të krijojë një platformë bashkëpunimi që do t’u lejojë komunave anëtare të intensifikojnë shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës në fushat e urbanistikës, inovacionit, mjedisit, kulturës dhe formave të reja të financimit.
