Tetova me vetëm 4 prokurorë, numër i madh i lëndëve! Vështirë ia dalin për t’i hetuar

TË FUNDIT

Prokuroria e Tetovës, e cila sipas numrit të veprave penale renditet menjëherë pas asaj të Shkupit është duke punuar vetëm me katër pakurorë.  Madje, për momentin janë vetëm 3 pasi njëri është në pushim mjekësor. Ushtrues i detyrës kryeprokuror  i Prokurorisë së Tetovës Besir Aliu e pranon se  numri i prokurorëve në bazë të padive penale është i vogël. Ai kërkon që urgjentisht të sillen prokurorë të rinj në Tetovë.

“Sa i përket numrit të prokurorëve mund të thuhet se është i pamjaftueshëm dhe duhet që urgjentisht të sillen prokurorë të rinj, pasi që prokuroria e Tetovës është një ndër prokuroritë me numër të lëndëve më të mëdha pas Shkupit. Gjatë vitit 2020 kemi pranuar  rreth 1600  vepra penale kundër personave  që janë dorëzuar nga policia dhe personat fizik”, tha Besir Aliu – U.D i kryeprokurorit të Prokurorisë së Tetovës.

Në anën tjetër avokati Ibraim Bajrami thotë se për shkak numrit të vogël të prokurorëve stërzgjaten lëndët ndërsa hetimi nuk është adekuat.

 “Me kompetencë mund të iu them se  në sistematizimin  e vendeve të punës për prokurorët e Tetovës janë paraparë 11 prokurorë dhe dyfishin e vendeve të  punës për bashkëpunëtor profesional. Pak kohë më parë në prokurorinë e Tetovës funksional kanë qenë vetëm dy prokurë edhe atë shefi i prokurorisë dhe një prokurorë tjetër. Një prokuror ka pasur pushim mjekësor dhe një për shkaqe shëndetësore ka abstenuar nga puna  që nga katër kanë punuar dhe kjo ndikon në  cilësinë e procedurës hetimore, ndikon në vjetërsimin  lëndëve penale  që në mënyrë të drejtpërdrejt  i cenohen të dyshuarit në procedurë hetimore”, theksoi Ibraim Bajrami – Avokat.

Por çka sjell mungesa e prokurorëve për të dyshuarit e veprave penale?

“Ndikon në masën e paraburgimit në grumbullimin e fakteve dhe provave  për vërtetimin  gjendjes faktike  ndikon edhe në ecurinë e procesit gjyqësor, kjo mungesë ndonjëherë shkon në favor të të dyshuarve , por ndonjëherë i dëmton se palët në këtë proces gjyqësor nuk mund të  jenë të përgatitur të prezantojnë lëndën  në formë cilësore dhe profesionale  dhe mbrojtja  në këtë rast e shfrytëzon këtë hendikep  të prokurorisë në maksimum”, potencoi Ibraim Bajrami – Avokat.

Në bazë të dhënave zyrtare të publikuara në ueb faqen e  gjykatës  themelore të  Tetovës, gjatë vitit 2019 në gjykatën e Tetovës  vetëm në sektorin penal janë pranuar 23.606 lëndë.

Në Manastir në bazë  të të dhënave në ueb faqen e prokurorisë publike të Maqedonisë së Veriut ka 7 prokurorë të punësuar, ndërsa në Prilep janë gjashtë. Po kaq janë edhe në Veles, ndërsa numri i  lëndëve është shumë me i vogël se në prokurorinë publike të Tetovës.