Komuna e Tetovës ankohet se ministria e arsimit u’a ka shkurtuar buxhetin e bllok dotacioneve për shkollat fillore për rreth 300 mijë euro. Sipas tyre, këto mjete nuk mjaftojnë për proces të rregullt të mësimdhënies në shkollat fillore të Tetovës. I bëjnë thirrje ministrisë që të reflektojë.
“Dhe tani do të kemi shkurtim të buxhetit, konkretisht dotacionit për vitin 2024 të shkollave fillore në komunën e Tetovës me rreth 18 milion denarë apo 300 mijë euro. Ky shkurtim drastik i buxhetit të propozuar nga ana e ministrisë së arsimit dhe shkencës, nuk do të jetë i mjaftueshëm për mbarëvajtjen e procesit të mësimdhënies nëpër shkollat tona, ku me këtë hap përfundimisht po fundoset arsimi shqip në RMV.”- deklaroi Nazmi Dauti – Sektori i Arsimit, komuna Tetovë.
E njejta gjë ndodhë edhe në komunën e Çairit ku bllok dotacionet për vitin 2024 siç thonë nga komuna, janë 525 milion denarë. Blerim Sulejmani nga sektori i financave, thotë se 500 milion shkojnë vetëm në rroga, e gjatë gjithë vitit nuk mund t’ia ndalin mbanë me harxhimet elementare me vetëm 25 milionë denarë. Ata kërkojnë së paku edhe 30 milion denarë tjera, me qëllim që të mos përfundojnë me borxhe.
“Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, planifikimi i bllok dotacioneve për arsimin fillor për vitin 2024 për Komunën e Çairit nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut është 525 milionë denarë nga të cilat vetëm për rroga të punëtorëve në 10 shkollat fillore si dhe regresi i cili nga ky vit është i obligueshëm, kap shifrën e 500 milionë denarëve dhe pjesa e mbetur prej 25 milionë denarëve është tepër e vogël për mbulimin e të gjitha harxhimeve tjera si: ngrohjen qendrore, pra naftën për ngrohje, energji elektrike harxhimet e tjera elemetare për të funksionuar mësimdhënia, mirëmbajtja e objekteve, transporti i nxënësve e kështu radhë.”- tha Blerim Sulejamani – Sektori i Financave, komuna Çair.
Nga komuna e Çairit thonë se edhe gjatë viteve paraprake bllok dotacionet kanë qenë shumë të ulëta, dhe çfarë ka qenë nevoja të shtohen të holla, i kanë shtuar nga buxheti i komunës. Bllok dotacionet në vitin 2023, në Çair kanë përfunduar që në muajin nëntor.
Mirëpo ministri i arsimit Jeton Shaqiri, siguron se komunat do të kenë të gjitha mjetet e nevojshme për realizimin pa probleme të procesit arsimor.
“Komunat do të kenë mjetet e nevojshme nga bllok dotacionet dhe po të njejtat me modelin e ri i cili planifikohet të realizohet nga shtatori i 2024 do të plotësohen me të gjitha mjetet e nevojshme. Komunat do të kenë të gjitha mjetet e nevojshme për realizim pa problem të procesit arsimor në shkollat fillore dhe të mesme.”- pohoi Jeton Shaqiri – Ministër i Arsimit.
Përndryshe komunat druajnë se me këtë shkurtim të fondeve, do u rriten edhe borxhet të cilat siç thonë, edhe ashtu po i paguajnë me interes ndaj përmbaruesve.
