Tërmeti ia ka shtyrë dasmën: “Shihja se si nga rrënojat i nxirrnin njerëzit me të cilët qëndroja deri dje”

TË FUNDIT

26 korriku i vitit 1963, ora 5 e 17 minuta.

Tërmeti i madh ka zgjatur 20 sekonda, kurse dridhje më të vogla ka pasur deri në orën 5 e 43 minuta. 1.070 persona humbën jetën, kurse rreth 4.000 të tjerë mbetën të lënduar nën rrënojat. 15.800 banesa janë shembur, kurse 28.000 janë dëmtuar. Mbi 200.000 njerëz mbetën pa kulm mbi kokë.

58 vjet nga tërmeti, i cili me magnitudhë prej 6.1 ballësh sipas shkallës së Rihterit, epiqendra e të cilit ishte në thellësi prej 5 deri në 7 kilometra, tërësisht shkatërroi Shkupin.

59 vjet më vonë, në po të njëjtën ditë flasim me prof. dr. Borka Velkovska, ish-profesoreshë në Fakultetin e Ndërtimtarisë, si një nga dëshmitarët e tërmetit. Aso kohe ajo ishte 24-vjeçare, sapo kishte diplomuar dhe po i bënte përgatitjet për dasmën me bashkëshortin e saj. Për shkak të tërmetit, dasmën e kanë organizuar pas një viti, kurse martesën e kanë lidhur nën një tendë.

“Para tërmetit ishim në një aheng. Kur erdha në shtëpi, papritmas dëgjova një zhurmë të madhe, ishte e tmerrshme. Nga raftet binin gotat. Nuk e dija për çfarë bëhet fjalë derisa babi im nuk hyri me vrap dhe tha – hajde se ka tërmet. Kur dolëm nga shtëpia kishte mjegull të kuqe. Shumë shtëpi përreth ranë dhe nga tullat u krijua mjegull, pluhur. Kurrë nuk do ta harroj këtë”, deklaroi prof. dr. Borka Velkovska, dëshmitare e tërmetit të vitit 1963.

“I shihni njerëzit me të cilët keni qëndruar deri dje dhe i nxirrni nga ndërtesat e rrënuara. Shihni njerëz të cilët me duart e tyre po gërmojnë dhe nxjerrin njerëz. Kjo ka rëndësi shumë të madhe”, tha prof. dr. Borka Velkovska, dëshmitare e tërmetit të vitit 1963.

Këtë tërmet, Velkovska e sheh si një kthesë në fushën e ndërtimtarisë. Deri atëherë objektet ndërtoheshin ndryshe se tani. Sot, asnjë ndërtesë nuk mund të ndërtohet nëse nuk posedon leje. Megjithatë, profesoresha Velkovska, si inxhiniere e ndërtimtarisë, dyshon në cilësinë e materialit ndërtimor që përdoret sot për ndërtesat e reja.

“U shembën ndërtesa sapo të ndërtuara. Unë jetoja në një ndërtesë para luftës dhe ishte dëmtuar shumë pak. Këtë duhet ta dinë të gjithë, një ndërtesë nuk duhet të mendohet vetëm nga aspekti i inxhinierisë, por duhet kujdesur edhe si do të ndërtohet. Shumë ndërtesa që ishin të vjetra rezistuan, kurse ndërtesa të reja u shembën”, pohoi prof. dr. Borka Velkovska, dëshmitare e tërmetit të vitit 1963.

Dëmi i tërmetit është vlerësuar mes 3 dhe 5 miliardë dollarëve, gjegjësisht më shumë se i gjithë buxheti vjetor i Republikës së Maqedonisë. 87 kombe kanë dërguar ndihmë që Shkupi sërish të ndërtohet, me çka e mori epitetin “Qyteti i solidaritetit”.