Në Komitetin e fundit ekzekutiv të opozitares VMRO-DPMNE janë zgjedhur 25 emrat e kandidatëve për kryetarë komunash, ndërsa gjatë muajit pritet që të caktohen 45 kandidatë për zgjedhjet lokale. Këtë e paralajmëroi shefi i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan MIckoski i cili e zbuloi emrin e vetëm një kandidati.
“Së shpejti opinioni publik do të mësojë një pjesë të emrave, sa di unë, deputeti dhe anëtari i Komitetit ekzekutiv, Antonio Milloshoski në një prej televizioneve nacionale e tregoi emrin e njërit prej kandidatëve. Bëhet fjalë për deputetin dhe mjekun Kirill Pecakov i cili do të jetë kandidat për kryetar të Ohrit”, tha Mickoski.
Mickoski me kritika ndaj propozimeve të LSDM-së për grupin e parë të kandidatëve.
“Oferta e LSDM-së është e vjetër, që nga kohërat e tranzicionit, me politikanë të tillë të tranzicionit dalin vazhdimisht. Unë nuk prisja asgjë të re, është mirë që opinioni publik e kuptoi se çfarë ofron Zoran Zaevi dhe LSDM-ja. Këta në fakt janë të njëjtët njerëz që janë kryetarë komunash të pasuksesshëm”, shtoi ai.
PLD dhe RDM thanë se në zgjedhjet lokale do të dalin në koalicion me program të gjelbër – liberal – progresiv ndërsa atyre do t’u bashkëngjitet edhe mjeku i njohur Nikolla Panovski.
“Mendojmë se qytetarët duhet të kenë një opsion të gjelbër liberal, një koalicion progresiv proevropian. U bashkuam për shkak se të gjitha partitë e vogla janë të copëtuara, deshëm të bashkohemi me qëllim që ta përforcojmë qendrën”, tha Goran Milevski, kryetar i PLD-së.
“Ne jemi parti progresive, të hapura për bashkëpunim veçanërisht me shoqatat civile dhe iniciativat dhe në punën tonë të deritanishme vazhdimisht jemi në komunikim të ngushtë me sektorin civil dhe mendojmë se kjo është në drejtim të demokratizimit të shoqërisë”, Maja Moraçanin, kryetare e RDM-së.
LSDM-ja të martën promovoi pjesë të kandidatëve për kryetarë komunash për zgjedhjet në tetor. Në grupin e parë prej 30 kandidatëve kryesisht janë kryetarë aktualë të komunave mes të cilëve edhe Petre Shilegovi i Qytetit të Shkupit, ndërsa vetëm dy prej tyre janë emra të rinj.
