Tenderimi për rrugën Shkup-Bllacë hapet së shpejti, VLEN dhe BDI kritika njëra-tjetrës për projektin

TË FUNDIT

Është çështje orësh kur do të hapet tenderimi për pjesën e dytë të rrugës Shkup-Bllacë, zbuloi në një intervistë për TV21 zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti, duke kritikuar qeverisjen e kaluar pjesë e së cilës ishte BDI, se me vite folën për këtë projekt por e lanë me vetëm 2 kilometra.

“Mund ta potencoj edhe se Korridori 8 është trefishuar dinamika e punës. Një risi sot apo nesër do të hapet tenderimi i rrugës Shkup-Bllacë dhe ne po i realizojmë këto sepse ne e dimë se çfarë është projekti dhe si realizohet projekti. Ata janë marrë vetëm me promovime, me hapje të projekteve me vetura, mbi vetura, mirëpo e lan me 2 km rrugën Shkup-Bllacë”, tha Mexhiti.

Ky segment është përfolur shumë edhe gjatë qeverisjes së integristëve. Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, i pyetur për këtë projekt tha se nga partitë e qeverisjes aktuale, gjithnjë ka pasur sabotime politike. Por, ai zotohet se pas zgjedhjeve lokale të tetorit gjërat do të ndryshojnë.

“Tash e kanë shpallur si projekt historik këtë që e kemi bërë ne në të kaluarën, është pjesë e atij projekti edhe autostrada Shkup-Bllacë. Atë që kam bërë unë në një periudhë kur kam qenë koordinator ishte që ta sjellim në një pikë të pakthyeshme, për shkak se vërehej se ka mungesë të vullnetit të asaj që e quajmë ne shteti i thellë, në ndërtimin e korridorit që lidh me Prishtinën, dhe fillimi i ndërtimit ka qenë që këtë projekt ta bëj të pakthyeshëm dhe tani është çështje administrative dhe çështje e vullnetit politik, por besoj që pas tetorit do të ketë një konstalacion tjetër, i cili do t’i përfundoj këto projekte”, tha Osmani.

Përndryshe, nga ndërmarrja publike “Rrugët Shtetërore” kanë thënë se pjesa prej 10,5 km e rrugës Shkup-Bllacë do të ndërtohet sipas projektit fillestar me disa ndryshimet. Projekti mund të kushtojë deri në 260 milionë euro. Deri më tani janë ndërtuar vetëm 2 kilometrat e para, por pa pjesën tjetër të segmentit ato janë jofunksionale.