Udhëkryqi midis bulevardit “Bllagoja Toska” dhe rrugës “29 Nëntori” vazhdon të jetë një rrezik për qytetarët e Tetovës. Edhe pse tenderi ka përfunduar që prej 13 muajsh, semaforët ende nuk janë instaluar. Nga Sektori për rrugë dhe tokë ndërtimore në Tetovë, thonë se punimet janë në proces.
“Vonesat janë bërë për disa shkaqe objektive dhe subjektive të operatorit dhe ishim në kontakt javën e kaluar shkaku i mjeteve. Këtë javë na premtuan se pjesën elektronike e kanë vendosur krejt dhe kanë mbetur vetëm shtyllat e semaforeve anësor, që janë për këmbësor. Këto portale janë vendosur, domethënë llogariten si portale jo si konsoll, ajo pjesa kryesore që u bë bujë më herët. Besoj se gjatë kësaj jave do të vendosen edhe shtyllat e vogla të semaforëve”, tha Moamet Etemi
Muaj më parë TV21 vërejti se në këtë udhëkryq janë vendosur shtylla të vjetra, ndërsa në tender janë paraparë shtylla të reja. Kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami premtoi se pas përfundimit të punimve do të dalin në terren dhe do të inspektohet punët në bazë të kontratës.
“Nëse e ka kontratën, ose mund ta sigurojmë kontratën dhe mund t’ua sqarojmë se instalimi i atyre semaforëve është bërë në bazë të kontratës. Në ternder gjithçka që është kërkuar është edhe në realizim. Do të dalim me tenderin dhe kerkesat që janë aty, do t’i kontrollomë do bëjmë një inspektim publik”,tha Bilall Kasami.
Sipas kryetarit dhe udhëheqësit të sektorit për rrugë, semaforët do të duhet të përfundojnë për dy jave.
“Javën tjetër duhet të kaloj edhe cikli i kohëzgjatjes. Nuk bisedojmë për atë nëse do vendosen shtyllat ose jo. Ashtu të paktën na kanë premtuar”, deklaroi Etemi
Me hapjen e bulevardit “Bllagoja Toska”, ky udhëkryq është bërë i rrezikshëm për automjetet, pasi rruga “29 Nëntori” nga një rrugë me përparësi kalimi është shndërruar në rrugë dytësore, çka ka sjellë një rritje të numrit të aksidenteve. Ndërkohë, Komuna e Tetovës ka premtuar disa herë, që nga qershori i vitit 2024 e deri më sot, se semaforët në këtë udhëkryq do të përfundojnë.
