Kjo është deponia e egër mes fshatit Gllogjë dhe fshatit Dobrosht të komunës së Tearcës.
Edhe pse në hyrje ka një tra, në të shumtën e kohës ai rri hapur, e kështu qytetarët hedhin mbeturina.
Shumica e mbetjeve janë materiale ndërtimore dhe amvisërive.
Në fshatin Gllogjë u munduam të pyesim disa qytetarë, por vetëm njëri pranoi të flasë duke e pranuar se janë vetë ata që hedhin mbeturina.
-Ka edhe nga fshati, por ka edhe nga fshatrat tjera që kanë sjellë.
-I pastron komuna ndonjëherë?
-I kanë pastruar por përsëri sjellin edhe mbushet përsëri, ne i hedhim përsëri.
-Në shtëpi vijnë i marrin?
-Vijnë çdo të shtunë i marrin, po vijnë çdo të shtunë i marrin.
Kryetari i komunës Tearcës Nuhi Neziri thonë se i dinë këto probleme dhe se po kërkojnë zgjidhje institucionale, ndërsa për mbeturinat e ngurta thotë se janë sjellë nga komunat e tjera gjatë vërshimeve. Për ato të amvisërive fajëson qytetarët.
“Në të gjithë territorin e komunës Tearcës ekzistojnë disa deponi ilegale për të cilët ne i marrim si shqetësim shumë serioz për t’i trajtuar dhe ridestinuar. Është përgjegjësia dhe ndërgjegjja e çdo qytetari, ne kemi dhënë me koncesion mbledhjen e mbeturinave organike apo të amvisërisë, ku operatori nuk ka vendosur ndonjë filtër apo të seleksionimit të tyre, ai grumbullon gjithçka, edhe këtu kemi pa përgjegjshmërinë e qytetarëve të cilët nuk kanë marrë kontejner apo nuk posedojmë për këtë gjë që operatori e bën këtë çdo javë apo katër herë në muaj.”- deklaroi Nuhi Neziri, Kryetar i Komunës së Tearcës.
Pyetëm edhe në Sektorin për Punë të Brendshme se sa qytetarët të Tearcës janë dënuar për hedhje të mbeturinave. Të dhënat zyrtare tregojnë se këtë vit nuk është dënuar asnjë qytetar, ndërsa në vitin 2022 5 qytetarë. Përndryshe, Komuna e Tearcës është zonë e mbrojtur për shkak të burimeve të Races, ndërsa edhe përkundër kësaj kjo komunë ende nuk ka kanalizim, ndërsa është e mbytur nga deponitë e egra.
