Organizatat joqeveritare për të drejtat e njeriut nga Maqedonia e Veriut dhe tërë Ballkani janë bërë bashkë, për të ngritur alarmin për gratë viktima të dhunës përmes internetit në bazë gjinore.
Në letrën e nënshkruar nga 138 organizata joqeveritare, nxiten autoritetet të veprojnë në përputhje me kompetencat e tyre për të hetuar në mënyrë të plotë dhe të shpejtë çështjen e grupeve Telegram (të tilla si Dhoma Ballkanike, Dhoma Publike, Gjevgjeli Hub, Srpska Soba, Smokva dhe të tjera), për të sanksionuar autorët dhe për të mbrojtur viktimat nga viktimizimi i mëtejshëm.
Sipas tyre, heshtja e institucioneve inkurajon edhe më tej funksionimin e grupeve të tilla në hapësirën digjitale, dhe vajzat vazhdojnë të përballen me rrezik për sigurinë personale, si dhe dinjitet dhe shëndet të dëmtuar.
“Fatkeqësisht, mënyra më e lehtë për të poshtëruar një vajzë është ta
portretizoni atë në një skenar seksual, i cili flet shumë për stigmën e pakapërcyeshme që ende shënon seksualitetin e grave si të turpshëm dhe të pahijshëm, ndërsa viktimat nuk marrin statusin e viktimës, por e një gruaje që “e kërkoi vetë”. Kështu, fotografitë e vjedhura, të kombinuara me mizogjininë, komentet seksiste dhe të dhunshme dhe trajtimin e grave si objekte pa integritet, ndjenja, dëshira dhe trauma, flasin për vlerat e rrënjosura mizogjine në rajonin tonë, të cilat duhet adresuar në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe rrënjësisht. Që problemi të fillojë të zgjidhet, së pari duhet të emërohet. Ky nuk është problem i abuzimit të të dhënave personale, kështu që nuk mund të zgjidhet me një qasje kaq të kufizuar. Ky është një problem i dhunës së bazuar në gjini, që synon poshtërimin, shantazhin, heshtjen dhe shtypjen e vajzave dhe grave, dhe nëse nuk trajtohet si e tillë, autorët e krimit do të kenë sukses në qëllimin e tyre”, thuhet mes të tjerash në letrën e 138 OJQ-ve, transmeton TV21.
Thonë se të gjithë janë të vetëdijshëm se ekziston rrjet rajonal i ngacmuesve, andaj kërkojnë bashkëpunim institucional ndërkufitar dhe hetim dhe ndjekje të plotë të të gjithë shkelësve të ligjit të përfshirë në rajon.
“Ky rast është shans që të gjitha institucionet nga rajoni të tregojnë se ato qëndrojnë për të drejtat e grave dhe i mbrojnë nga dhuna me bazë gjinore, me të vërtet, dhe jo vetëm në mënyrë deklarative! Prandaj, ne kërkojmë nga Zyrat e Prokurorisë Publike në rajon që të sqarojnë menjëherë dhe tërësisht rastet e grupeve Telegram të cilat janë vepër penale. Ne kërkojmë nga Ministritë e Brendshme që vazhdimisht të ndërmarrin aktivitete parandaluese dhe të ndalojnë funkcionin e grupeve të tilla. Nuk duhet të lejojmë një situatë në të cilën viktimat po shtohen, ndërsa institucionet heshtin dhe dështojnë në plotësimin e funksionit të tyre”, alarmojnë organizatat për të drejtat e njeriut nga Maqedonia dhe rajoni./TV21
