Dërgesa e parë e vaksinave kundër Covid-19 nga Republika e Serbisë arriti sot në Maqedoninë e Veriut. Bëhet fjalë për 4680 nga gjithsej 8000 vaksina nga kompania Fajzer.
Në konferencë për media, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, falënderoi Qeverinë serbe për donacionin e disa prej vaksinave të tyre.
“Kjo krizë ka treguar se solidariteti është i rëndësishëm dhe se nuk ka kufij. Ne jemi plotësisht të përgatitur, vaksinat janë tashmë në rrugën e tyre për t’u vendosur në frigoriferët e duhur. Ne nënshkruam marrëveshjen trepalëshe, e cila ishte praktikisht një kusht që të ndodhte ky donacion nga Serbia. Vaksinat sot janë në vendin tonë. Procedura e rregullt në Agjencinë e Barnave do të përfundojë nesër, pas së cilës vaksinimi do të fillojë të Mërkurën me punëtorët shëndetësorë në klinikën modulare në Qendrën Klinike në Shkup ”, theksoi Filipçe.
Vaksinimi do të bëhet në tre faza në përputhje me Planin Kombëtar për Imunizimin e Popullsisë. Në fazën e parë, është planifikuar të vaksinohen punonjësit shëndetësorë të cilët janë në vijën e parë të cilët punojnë me pacientët me Covid-19, të sëmurët me sëmundje kronike dhe personat më të vjetër se 70 vjeç.
