Sorensen diskuton me Kurtin kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë

TË FUNDIT

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të premten në takim të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Sipas njoftimit të Qeverisë, në takim janë diskutuar zhvillimet në raport me Bashkimin Evropian, situata në Ballkanin Perëndimor, si dhe procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj një qasjeje konstruktive në procesin e dialogut, duke synuar, sipas tij, paqe të qëndrueshme, siguri euroatlantike, stabilitet afatgjatë dhe fqinjësi të mirë evropiane.

Një nga temat e diskutuara ishte edhe çështja e kthimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë që dhanë dorëheqje nga institucionet e drejtësisë në veri të Kosovës.

Sipas njoftimit, Kurti ka thënë se Qeveria e Kosovës insiston në respektimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, si dhe në barazinë e qytetarëve dhe përfshirjen e të gjitha komuniteteve.

“Qeveria e Kosovës afirmon dhe insiston në kushtetutshmëri dhe ligjshmëri, barazi të qytetarëve e përfshirje të të gjitha komuniteteve. Të punësuarit në institucionet e Republikës duhet të jenë nga të gjitha etnitë, të karakterizohen nga kompetenca profesionale dhe integriteti etik”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Kurti ka deklaruar se dorëheqjet kolektive të zyrtarëve serbë në veri katër vite më parë, sipas tij, kishin për qëllim dëmtimin e përbërjes shumetnike të institucioneve.

“Rruga përpara është ajo që e përcaktojnë Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, e cila në rastin e sistemit gjyqësor nënkupton ruajtjen e shumetnisë, por njëkohësisht edhe garantimin e pavarësisë dhe cilësisë së drejtësisë”, është shprehur Kurti.