Ashensor jo funksional, ombrella të grisura dhe të shkarravitura. Kështu është gjendja pas 2 vjetëve e Sheshit “Skënderbeu” për të cilin qeveria në vitin 2014 ndau 11 milion euro.
“Edhe pse 2 vite më parë u inaugurua dhe të gjitha punët u ndërprenë, “Sheshi Skënderbeu” ende vazhdon të jetë, gjysmë i kompletuar. Shkallët elektronike të cilat u desh të lëshohen në përdorim ende nuk janë lëshuar dhe ashensorët ende nuk janë lëshuar”, Mevludin Imeri gazetar.
Ashensorët të cilët duhej të lehtësonin lëvizjen e qytetarëve në këtë shesh edhe pas dy viteve ende nuk funksionojnë. Në të shumtën e rasteve hapësira e këtyre ashensorëve është keqpërdorur për qëllime të ndryshme. Por pas dy viteve, dyert e hekurta të ashensorëve janë lidhur me një tel të hollë.
Qytetarët thonë se ashensorët duhet të lëshohen sa më shpejtë në përdorim pasi që veç më janë kryer punimet dhe projekti ka përfunduar.
“Negativisht. Si do ta komentoj. Nuk është mirë meqë e kanë bërë duhet ta lëshojnë edhe në përdorim edhe ndriçimi i gjithë sheshi në tërësi”, tha një qytetare.
“Shumë keq e shohim këtu pamjen. Pa lift pa gjëra. Shumë keq. Mjetet janë harxhuar a nuk është punuar asgjë”, u shpreh një qytetar.
“Të them të drejtën, nuk e di se si ka qenë projekti dhe nuk mund të komentoj nëse është përfunduar ose jo. E dyta, fatmirësisht që i kanë mbjellë lulet se paraprakisht ka qenë sikur të ishte kopsht.
Pse ju habit ajo, a mos vallë nuk njihemi kush dhe si jemi”, shtoi një qytetar tjetër.
“Duhet të lëshohen në përdorim. Nëse lëshohen do të jetë në funksion dhe do të jetë mirë. Ndërsa nëse nuk lëshohen atëherë është ndërtuar për kot”, tha një tjetër qytetar.
Nga Komuna e Çairit thonë se kanë pezulluar funksionimin e ashensorit dhe shkallëve elektrike për shkak se të njëjtat kanë pësuar shumë shpesh dëmtime dhe se kjo ka bërë që komuna të harxhojë mjete të pa planifikuara nga buxheti i saj.
“Me përfundimin e procesit zgjedhor i cili, në këto rrethana pamundëson edhe ndryshimin e planit për furnizime publike. Kuptohet se ne do të iniciojmë ndryshimet e këtij plani. Do të hapin procedurën për furnizim publik dhe do të angazhojmë operator ekonomik i cili do të përkujdeset që përsëri ashensori dhe shkallët elektrike të vendoset në funksion të plotë të qytetarëve në sheshin “Skënderbeu”, thonë nga Komuna e Çairit.
Ndryshe, Sheshi Skënderbeu është projekt i cili është ndërtuar në tri faza. Data për realizimin e projektit është prolonguar disa herë. Si datë e parë që atë botë u dha nga autoritetet ishte viti 2014, më pastaj si afat i fundit për realizim u dha viti 2015. Mirëpo sheshi Skënderbeu zyrtarisht u inaugurua në gusht të 2017-tës.
Përgatiti: Mevludin Imeri
