Të hënën bisedimet për prokurorinë, kësaj radhe VMRO fton pushtetin për vazhdimin e negociatave

TË FUNDIT

VMRO-DPMNE ka kërkuar takim të grupeve të punës për Ligjin për Prokurorë Publike. Nga partia opozitare i thonë TV21 se i kanë propozuar Qeverisë takim të hënën. Ata thonë se janë në kontakt me ekipin Qeveritar dhe po merren vesh për një termin që do t’i përshtatet anëtarëve të grupit të punës. Përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshovski, tha se koncepti i tyre nuk ndryshon dhe se mbeten në qendrimet e tyre.

“Me shumë gjasa, takimi do të mbahet të hënën. Ky termin iu përshtatet më shumë personave. (ngjitje) ne tashmë kemi dorëzuar propozim-tekst për ligjin i cili i përfshin të gjitha temat për Prokurorinë publike. Ekipi qeveritar tashmë e ka atë propozim tekst, dhe deri më tani kur jemi takuar kemi diskutuar për të dy propozim-tekstet, atë që e kanë dorëzuar ata si propozim-tekst në Kuvend dhe atë që e kemi ne si koncept për Ligjin për PP. Përsëri do të vazhdojmë me atë koncept”, theksoi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

Zv kryeministri Bujar Osmani, kërkoi kompromis nga partitë politike për të gjetur një zgjidhje dhe të miratohet ligji për prokurorinë publike speciale dhe t’i lënë anësh interesat e tyre.

“Këshilli i Prokurorëve dhe Kuvendi duhet të gjejnë mundësinë për të gjetur një zgjidhje për të plotësuar zbrastirën institucionale që është krijuar tani me rastin por ajo që është më e rëndësishme për të miratuar ligjin për  Prokurori i cili në mënyrë të përhershme dhe të qëndrueshme do të zgjidhë çështjen e Prokurorisë Publike por edhe atë të  Speciales”, tha Bujar Osmani, zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Pushteti dhe Opozita kanë qëndrime të ndryshme sa i takon funksionimit të PPS në kuadër të Prokurorisë Publike. Opozita kërkon që Prokuroria aktuale të përfundojë vetëm rastet e nisura gjyqësore, pa shfrytëzuar bombat si dëshmi. Partia opozitare gjithashtu kërkon ndryshimin e ekipit të Prokurores Katica Janeva, si dhe Prokuroria Speciale të jetë pjesë e Prokurorisë për krime të organizuara. Ndërsa propozim ligjin që e ka përgatitur Ministria e Drejtësisë parashikon që bombat të shfrytëzohen si dëshmi deri në shtator të 2020 për të gjitha lëndët që janë në gjykim ose parahetim dhe Prokuroria Speciale të jetë sektor në vete në Prokurorinë e rregullt.

Përgatiti: Zimer Jashari