Të gjithë presidentët në mbledhje në ASHAM! Cërvenkovski: Kemi probleme me korrupsion, përçarje dhe borxhe

TË FUNDIT

Ish presidenti Branko Cërvenkovski i cili pas një kohë të gjatë doli në publik, në mbledhjen shkencore solemne që e organizoi ASHAM, shprehu një numër të madh kritikash për gjendjen aktuale të shtetit. Ai tha se me Bullgarinë nuk sheh asnjë kompromis të mundshëm. Kërkoi që të iniciohet platformë nacionale për luftë kundër problemeve në shtet siç janë korrupsioni i lartë, përçarja e thellë dhe borxhet e shumta.

 “A na duhet që dikush nga Brukseli të na tregojë se ligji duhet të vlejë për të gjithë në mënyrë të barabartë, se gjyqësori duhet të jetë i pavarur, mediat të jenë të lira, se korrupsioni është një e keqe të cilën nëse nuk e shkatërrojmë, do të na shkatërrojë ne. Maqedonisë i duhet një platformë nacionale për të arritur konsensus të gjerë shoqëror, pa dallim se kush do të jenë në pushtet e kush në opozitë, derisa nuk rregullohen gjërat kyçe”, tha ish-presidenti Branko Cërvenkovski.

Ish presidenti Gjorge Ivanov i cili kishte video fjalim e kritikoi pushtetin për mënyrën e udhëheqjes së negociatave me Bullgarinë.

 “Me marrëveshjen me Bullgarinë, pushteti në Maqedoni do që të zgjidhë një çështje në favor të palës bullgare. Atë që e merr Maqedonia është vetëm poshtërim duke hequr dorë nga historia e vet, pa të cilën e humbim kompasin për ardhmërinë tonë”, u shpreh Gjorge Ivanov – ish-president.

Presidenti aktual Stevo Pendarovski mendon se marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë janë të rëndësishme për progresin e vendit, por sipas tij nuk janë të pranueshme kërkesat nga Sofja zyrtare  që kanë të bëjnë me identitetin maqedonas.

 “Marrëveshja   me Bullgarinë nga 2017 është shembull për afrim, e arritur pa asistencë të huaj, akt  i cili nuk diskriminon asnjë nga palët të cilat pas komunizmit, për fat të keq nuk i tejkaluan stereotipat  e ndërsjella. Nuk pres efekte negative as në fazën e zbatimit të saj të plotë, për shkak se   dihet se për ne nuk ka hapësirë për manipulim. Nëse e humbim  kombin, neve nuk na duhet integrimi evropian”, deklaroi presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Në emër të presidentëve të ndjerë, Kiro Gligorov dhe Boris Trajkovski, folën bashkëpunuesit e tyre, Zhivko Kondev dhe Vllado Popovski. Përndryshe në këtë mbledhje shkencore foli edhe kryetari i ASHAM-it Lupço Kocarev i cili po ashtu i kritikoi vendimet e pushtetit aktual. Politikanët e sotëm janë shërbyes politikave ditore dhe interesave gjeostrategjike e jo interesave shtetbërëse që i kemi të përbashkëta, tha ai.