Kamerat e sistemit Safe City u vendosën vetëm në tre qytete, Shkup, Tetovë dhe Kumanovë. Çfarë thonë qytetarët e qyteteve tjera!? Disa qytetarë të Kërçovës që anketuam, thonë se edhe në qytetin e tyre duhet të instalohen për çështje sigurie në komunikacion.
“Po duhet të ketë, për siguri më të lartë duhet të ketë kamera”, tha një qytetar.
“Safe City-n e mbështes dhe të ketë edhe dënime më rigoroze sepse çmenduri të tilla nuk ka në planet. Vozitje në semafor të kuq, mosrespektimi i këmbësorëve dhe të tjera”, u shpreh një qytetar tjetër.
“Po duhet të ketë gjithkund, sigurisht gjithkund, po vozitet keq sidomos në vendet e vogla”, potencoi qytetari.
“Edhe unë mendoj të njëjtën”, u shpreh një tjetër qytetar.
Izet Mexhiti nga VLEN tha se vendosja e kamerave vetëm në tre qytete nuk është diskriminuese, por në këto qytet numri i aksidenteve është më I lartë. Ai premtoi zbatimin e këtij sistemi në gjithë shtetin.
“Nuk mund të thuhet se ka konkurrencë etnike sepse nëse e marrim vetëm Shkupin dhe Kumanovën është gjysma e Maqedonisë, Shkupi ka 600-700 mijë banorë, Kumanova është qyteti I vetëm që ka mbi 100 mijë banorë edhe në Tetovë frekuenca është më e madhe aksidentet kanë qenë më të mëdhaja dhe prandaj fillohet këtu por ideja është që kjo të shtrihet në tërë teritorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Izet Mexhiti – kryetar i Komunës së Çairit.
Zbatimi i gjobave nga Safe City fillon me 1 shkurt, ditën e diel dhe fillimisht do të sanksionohen vetëm katër kundërvajtje: parkim i parregullt, tejkalim i shpejtësisë, kalim në të kuqe dhe drejtim i automjetit me regjistrim të skaduar.
