Pas incidentit në shkollën fillore në Komunën e Gazi Babës, ku një i mitur u plagos nga bashkëmoshatari i tij me mjet të mprehtë, ministrja e Arsimit Vesna Janevska kërkoi ndryshime ligjore për ndëshkimin e prindërve të fëmijëve që ushtrojnë dhunë në shkolla. Ajo apeloi që prindërit të tregojnë më shumë kujdes ndaj fëmijëve, duke theksuar se agresiviteti nuk krijohet në shkollë, por fëmijët e sjellin nga jashtë. Janevska paralajmëroi rikthimin e mësimdhënësve kujdestarë dhe licencimin e psikologëve shkollorë për të punuar më afër me nxënësit, prindërit dhe mësuesit.
“Do t’i kërkoj deputetëve të propozojnë ndryshime dhe plotësime në Ligjin për Arsimin Fillor, për të vendosur dënime ndaj prindërve, fëmijët e të cilëve kryejnë dhunë në shkollë. Aktualisht po diskutojmë me ta për formulimin e këtyre ndryshimeve ligjore. Për sa kohë që ka nevojë dhe realiteti e kërkon, do të vazhdojmë të ndryshojmë ligjet për të krijuar jo vetëm një mjedis të qetë shkollor, por edhe një mjedis më të zhvilluar për nxënësit, i cili fatkeqësisht ende nuk po jep rezultate, pavarësisht ndryshimeve që kemi bërë në dy vitet e gjysmë të fundit”, tha Vesna Janevska – ministre e Arsimit.
