“Tash është koha”, ASH-AAA me tubim përmbyllës në Shkup

TË FUNDIT

Ka mbetur edhe pak orë deri në përfundimin e fushatës zgjedhore ndërsa koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa po i realizojnë takimet e fundit me qytetarët. Në këtë fushatë me slloganin “Tash është koha” kanë kërkuar votën e qytetarëve duke u premtuar se do të sjellin ndryshimin. Tubimin mbrëmë e realizuan në Gostivar.

 “Shqiptarët do të votojnë për ndryshimin, shqiptarët do të votojnë për të rikthyer shpresën, shqiptarët do të votojnë për të kthyer krenarinë e tyre. Të dashur Gostivaras ju shoh se ju jeni të gjithë aktivistë dhe lajmëtarë të ndryshimit , jeni ata që do të ktheni dinjitetin dhe lirinë”, deklaroi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

E sapo deshi të marrë fjalën Afrim Gashi nga Alternativa, filloi ezani, ndërea në shenjë respekti ai u tërhoq për një çast.

Gashi premtoi se nuk do t’i hakmerret askujt por do t’i shërbejnë çdo shqiptari.

 “Do të punojmë ditë e natë. Nuk do të kursejmë aspak që shkollat tona përfundimisht të mos prodhojnë vetëm diploma por mbi të gjitha dituri e diploma”, theksoi Afrim Gashi, kryetari i Alternativës.

Gjatë ditës koalicioni kishte aktivitete në Çarshinë e Vjetër të Shkupit duke ndarë materiale promovuese. Ndërsa Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa karvanin e tyre po e përfundojnë sonte në kryeqendër e vendit para Qeverisë së Republikës të Maqedonisë së Veriut në ora 20.