Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se bisedimet me Aleancën për Shqiptarët po zhvillohen në frymë të mirë dhe në atmosferë drejt arritjes së marrëveshjes, shkruan TV21. Kovaçevski tha se qëllimi i hyrjes së ASH-së në Qeveri është arritja e shumicës që e ka qëndrim të qartë rreth ardhmërisë eurpiane të vendit. I pyetur nëse janë tejkaluar mosmarrëveshjet rreth ndarjes së posteve, respektivisht emërimet në Dogana dhe Drejtorinë për të Ardhura Publike, Kovaçevski tha:
“Nuk kanë qenë problem këta dy institucione, në përgjithësi nuk ka pasur probleme rreth institucioneve sepse në biseda të tilla flitet për marrjen e përgjegjësive rreth potencialit të kuadrove që ka çdo partner i koalicionit”, tha mes tjerash Kovaçevski.
Ndërsa kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari thotë se finalizimi i marrëveshjes pritet të ndodhë sot ose nesër.
“Besoj se sot ose nesër finalizohet definitivisht marrëveshja dhe atëherë do ta bëjmë publike natyrisht të gjithë, edhe Qeveria edhe Aleanca për Shqiptarët. Mendoj se duhet të përfundojë komplet marrëveshja dhe atëherë të tregojmë, mendoj se do ishte jokorrekte të themi diçka dhe nesër të mudn të ndryshoje, kështu që kur të përfundon, krejt i nxjerrim para qytetarëve”, pohoi Taravari.
Ndryshe një javë më parë në objektin ekzekutiv u takuan Taravari dhe Kovaçevski, me çka përfundimisht ASh bëri të ditur zyrtarisht se do të hyjë në qeveri, duke shtuar se nuk është biseduar fare për çështjet kadrovike, por thanë se pika kryesore e programit të ASh-së për hyrje në qeveri është lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i së drejtës. Sipas burimeve brenda partive, TV21 mëson se Aleanca për Shqiptarët do të udhëheq me disa dikastere dhe drejtori siç janë:
“Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Drejtësisë, pozitën e një zv/kryeministri. Zv/ministrinë e Punës dhe Politikës sociale, zv/ministrinë e Mbrojtjes. Drejtorinë e Doganave, Drejtorinë për të Ardhura Publike dhe Policinë Financiare.”
