Kryevepra e Molierit “Tartufi” mbrëmë pati premierën në Teatrin e Gjilanit, në leximin e regjisorit Qëndrim Rijani.
Edhe pse “Tartufi” është shkruar nga njëri prej komediografëve më të mëdhenj në histori të teatrit, studiues e lexues të ndryshëm këtë vepër të Molierit shpesh e kanë kategorizuar si dramë e ndonjëherë edhe si tragjedi.
Në variantin e regjisorit Rijani, “Tartufi” erdhi si dramë, ku personazhi që konsiderohet si shenjtori i hipokritëve triumfon. Pra, në shfaqjen e Teatrit të Gjilanit, vepra e Molierit vjen sipas një thënies së Çehovit, ku shprehet: “thonë se e mira gjithmonë ngadhënjen, por kjo nuk është e vërtetë.”
Në shfaqje rolet i interpretuan: Kushtrim Qerimi, Ernest Zymberi, Aurita Agushi, Tringa Hasani, Gani Rrahmani, Flaka Latifi, Avni Shkodra, Mejreme Berisha, Alban Shahiqi, Floren Salihu.
Skenografia e shfaqjes është realizuar nga Bekim Korça, kurse kostumet nga Yllka Brada, muzika nga Trimor Dhomi dhe asistente e regjisë, Fitore Jashari.
“Tartufi” sonte do ta ketë reprizën e parë dhe do të jetë pjesë e repertoarit të Teatrit të Gjilanit gjatë vitit 2024.