Targat e veturave me mbishkrimin “MK” deri më 12 shkurt duhet të zëvendësohen me ngjitëse ku shkruan “NMK”, sipas përcaktimeve të Marrëveshjes së Prespës. Qytetarët druajnë nëse përsëri do të duhet të presin me orë të tëra për të blerë ngjitëse. Nga MPB thonë se ato mund t’i merrni në të gjitha stacionet për kontroll teknik dhe do të jenë falas, ndërsa procedura është e thjeshtë. Pronari i veturës e merr në sportel dhe vetë e ngjit në targa. Por çfarë do të ndodhë me ata që nuk do të marrin ngjitëse pas 12 shkurtit? Paraprakisht ministri i brendshëm Oliver Spasovski tha se nuk do të ketë gjoba, megjithatë, siç është rasti me pasaportat, me këto vetura qytetarët nuk mund të dalin jashtë shtetit.
“Me qëllim që t’i mos i ndërrojnë targat, edhe pse ky obligim po rrjedh nga Marrëveshja e Prespës, MPB gjeti zgjidhje që kjo situatë të tejkalohet me ngjitjen e kësaj ngjitëse ku shkruan NMK në vendin ku shkruan MK. Në fakt kjo është zgjidhja që qytetarët të mos ekspozohen në shpenzime shtese. Këto ngjitëse varësisht nga targat do të kushtojnë prej 30 deri 50 denarë”, pohoi Toni Angellovski, zëdhënës i MPB-së.
Gjatë ndryshimit të dokumenteve personale me emrin e ri, qytetarët u përballën me turma të mëdha dhe pritje të gjata para sporteleve të MPB-së për të dorëzuar kërkesën e tyre për ndryshim, por edhe për t’i marrë dokumentet e reja. Nga MPB-ja bënë me dije se zyrtarët policorë do t’i dorëzojnë dokumentet në adresën e qytetarëve, por kjo vlen vetëm për banorët e Qytetit të Shkupit. Sipas Angellovskit, deri më tani në adresën e qytetarëve janë dorëzuar rreth një mijë dokumente.
“Nga e hëna e kaluar filloi dorëzimi i dokumenteve në adresë, por kjo është vetëm për territorin e Qytetit të Shkupit. Kuptohet periudha për dorëzim është 7 ditë. Zyrtarët policorë brenda këtij afati 7-ditor disa herë do të vijnë në adresën tuaj. Nëse personi nuk gjendet, atëherë dokumenti personal kthehet në MPB dhe qytetari do të mund të vijë dhe ta marrë në ndërtesën e RTVM-së”, tha Toni Angellovski, zëdhënës i MPB-së.
Me Marrëveshjen e Prespës rrodhi obligim për ndryshim të dokumenteve në të cilat emri Republika e Maqedonisë duhet të zëvendësohet me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Një numër i madh qytetarësh ende nuk kanë ndërruar pasaportat, por edhe pse ishte dërguar kërkesë deri te Greqia për shtyrje të afatit, megjithatë nga Athina zyrtare bënë të qartë se nuk pranojnë prolongim të afatit pasi, siç shpjegojnë, kemi pasur kohë të mjaftueshme për t’i ndryshuar dokumentet. Nga ana tjetër, Greqia deri më tani nuk ka ndërmarrë asgjë në drejtim të plotësimit të obligimeve të saj që dalin nga Marrëveshja e Prespës.
