Për 6 a 7 ditë VLEN-it do t’i kalojë periudha e reagimeve emocionale, parasheh kryetari i ASH-së, ministri Arben Taravari. Më tej shtoi se VLEN e ka edhe një mundësi për bashkëpunim për kandidaturat për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale, në të kundërtën ASH do të shohë opsionet tjera për bashkëpunim.
“Unë shoh se reagimet janë emocionale. Shumë vrer. Kjo flet se në subkoshiencë kanë pasur diçka që flasin kështu. Unë mendoj se janë deklarata të pamatura. Në këtë periudhë unë do të mundohem të jem sa më i durueshëm, sa më i qetë dhe sa më i urtë së bashku me organet partiake”, tha Arben Taravari.
Po sinjalet që vinë nga ish-partnerët e koalicionit, jo vetëm që nuk japin ndonjë shpresë për bashkëpunim, por duan që ASH-në ta nxjerrin edhe nga Qeveria. Kryetari i Alternativës Zeqirija Ibrahimi në Facebook i shkroi se “pak BDI, pak qeveri, ollmaz Doktor!”. Pasi radhit disa pohime të deritanishme të Taravarit rreth mundësive të bashkëpunimit për të ardhmen, Ibrahimi përfundon duke thënë se “në krejt këto vetëm një lexim është i saktë – “e bëra këtë jo se nuk e desha e VLEN-in, porse këtë ma kërkoi Ali Ahmeti dhe BDI-ja”.
Po sa i përket qëndrimit ose jo të ASH-së në Qeveri, Taravari pret që këtë ta vendosë ai që e formon Qeverinë – kryeministri. Ai vetë vlerëson se ASH-ja i duhet kësaj Qeverie, edhe pse shton se nuk do ta kishin problem ta lëshonin.
“Qeverinë e bën kryeministri, nëse kryeministri…unë kam biseduar me kryeministrin, sërish do të flasim, nëse ai vlerëson se ASH-ja nuk duhet, ne nuk kemi asnjë problem, megjithatë mendoj se ASH-ja për momentin duhet, megjithatë nëse marrin vendim të tillë, nuk ka asnjë problem. Nuk mundet të tregojë askush tjetër, përpos atij që formon qeveri, me të do të shihemi, dëgjohemi, jemi në komunikim, kështu që do të shohim ditëve në vijim”, deklaroi Taravari.
Po si qëndron puna me grupin parlamentar të VLEN-it? Kryeparlamentari Afrim Gashi tha se tani për tani nuk ka asnjë ndryshim sa i përket grupeve parlamentare dhe se të gjitha janë ashtu siç kanë qenë nga fillimi i përbërjes parlamentare.
