Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, edhe sot nëpërmjet një statusi në Facebook shprehu nevojën për heqjen e 20%-shit si definicion për gjuhën shqipe.
“Në vitin 2012 prestigjiozja amerikane “Neë York Times” do të botonte një kërkim shkencor ku thuhet se gjuha shqipe është një ndër tre gjuhët më të vjetra në botë nga të cilat ka buruar çdo gjuhë tjetër…
A nuk është mungesë inteligjence që këtë pasuri botërore ta quash 20%?!”, shkroi Arben Taravari, kryetar i ASh-së.
ASH e ka anëtarin e saj, Remzi Memedin, në grupin e punës i cili është formuar enkas për planifikimin e ndryshimeve kushtetuese, andaj e pyetëm Taravarin se çfarë po bënë ai në lidhje me heqjen e 20%-shit.
“Në grupin punues është diskutuar edhe kjo çështje dhe ky grup punues që e ka propozuar këtë kanë qenë të detyruar të votohet praktikisht propozimi i Qeverisë, po kjo nuk e ka ndalur përfaqësuesin tonë në atë komision të ekspertëve që të tregon se do të votohet që të mos perceptohet sikur ASh i ndalon proceset është kundër eurointegrimve, por e ka thënë se ASh do të vazhdon edhe më tutje me të gjitha mjetet e mundshme natyrisht politike dhe demokratike të mundohet të ndryshon tërheqjen e 20% prej Kushtetutës”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i ASh-së.
Pas shqyrtimit të draft-amandamenteve nga Qeveria, procedura do të kalojë edhe në Kuvend, ku ka po ashtu mundësinë për t’u bërë plotësime me amendamente. Taravari premtoi se deri në fund do të vazhdojnë me kërkesën për heqjen e 20%.
“Do të tentojmë me mjete demokratike deri në fund që kjo punë të ecën. Do ta shohim, veprimet tona do t’i vendosim në ecuri. Nuk kemi një vendim definitiv. Një gjë është e sigurt, në hymë në Qeveri për të ndodhur ndryshimet kushtetuese dhe kërkesa jonë vazhdon deri në fund që 20% të tërhiqet”, pohoi Arben Taravari, kryetar i ASh-së.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski i pyetur ditë më parë se nëse partitë shqiptare nuk do të mbështesnin ndryshimet kushtetuese nëse në paketë nuk është edhe heqja e 20%, u përgjigj se të gjithë duhet ta kenë parasysh se ky proces ka të bëjë me eurointegrimet.
