Taravari: BDI po bën presion ndaj nëpunësve shtetëror! BDI Taravarin e quan “kandidat i VMRO-DPMNE-së për Gostivarin”

TË FUNDIT

Aleanca për Shqiptarët akuzon BDI-në për fushatë të pistë parazgjedhore. Arben Taravari, sekretar gjeneral i ASH-së, thotë se partia e Ahmetit ka filluar të bëjë mobing, presion dhe hakmarrje politike ndaj nëpunësve shtetërorë që nuk ndajnë bindjen e njëjte politike më integristët.

 “Aleanca për Shqiptarët, ditëve të fundit ka pranuar shumë denoncime nga qytetarë, të punësuar në organe dhe institucione të ndryshme publike dhe shtetërore, për presion, mobing dhe hakmarrje politike nga ana e pushtetit aktual. Kjo tregon se ashtu siç kanë bërë në çdo cikël zgjedhor edhe kësaj radhe BDI ka filluar me fushatën e saj të pistë parazgjedhore”, deklaroi Arben Taravari – Sekretar Gjeneral i ASH-së.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se BDI e bënë këtë me qëllim që të fsheh dështimet e tyre në pushtetin lokal, të fshihen premtimet e parealizuara dhe gënjeshtrat e tyre.

E nga BDI thonë se Taravari po ndjen humbjen në zgjedhjet lokale e po mundohet të mbulojë dështimet në qeverisjen e tij me Gostivarin.

 “Kandidati i VMRO DPMNE-së për komunën e Gostivarit, Arben Taravari, po ndjen simptomat e humbjes. Ai bën mire të zgjidh problemin me mbeturinat ngulfatëse, qentë vrasës endacak, trafikun e stërngarkuar, mungesën e parkingjeve dhe të braktis agjendën partiake me shpifje e propagandë për të mbuluar dështimet masive në Gostivar”, thonë nga BDI.

Zgjedhjet lokale për kryetar komunash dhe këshilltarë  do të mbahen më 17 tetor të këtij viti, ndërsa fushata parazgjedhore fillon 20 ditë para datës së zgjedhjeve.