Para 14 vitesh këtu në Bukuresht Maqedonia nën ethe priste përgjigjen nëse do të bëhej pjesë e NATO-s apo jo! Në 2008-tën shpresat u rrënuan, por tani 14 vjet më pas Maqedonia e Veriut ulet krah për krah me 29 vendet anëtare të tjera të Aleancës, siç po ndodh edhe sot në takimin e ministrave të jashtëm.
Fokusi kryesor i takimit të Ministrave të Jashtëm të vendeve të NATO-s është gjendja e sigurisë, situata në Ukrainë dhe përforcimi i mbështetjes ndaj Kievit në luftën e kundër pushtimit rus.
“Duhet ta mbështesim Ukrainën për shkak se nga ajo që po e shohim është se Presidenti Putin po përpiqet ta shfrytëzojë dimrin si një armë lufte, e cila po shkakton shumë vuajtje tek ukrainasit. Aleatët e NATO-s janë dukë dhënë mbështetje dhe do të vazhdojnë të japin mbështetje të pakushtëzuar.”- deklaroi Jens Stoltenbeg, Sekretar Gjeneral i NATO-s.
Po mbushen 10 muaj nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës. Ndihma e vendeve aleate ndaj saj nuk ka munguar dhe siç premtohet, nuk do të mungojë, por çfarë ndihme ka ofruar Maqedonia e Veriut si një vend i vogël?! Për këtë e pyetëm
Në këtë takim flitet edhe për rëndësisë strategjike të Ballkanit Perëndimor dhe rajonit të Detit Zi për NATO-n dhe nevojën për rritje të mbështetjes për vendet të ekspozuara ndaj rrezikut.
Ministrat e 30 vendeve anëtare të NATO-s do të diskutojnë edhe për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës. Për këtë arsye në takime do të marrin pjesë edhe Ministrat e Punëve të Jashtme të këtyre dy vendeve. Kujtojmë se të gjithë anëtarët e NATO-s e kanë nënshkruar protokollin për pranimin e Suedisë dhe Finlandës, përveç Hungarisë dhe Turqisë që nuk e ratifikuan. Sekretari Gjeneral i NATOS po ashtu ka bërë të ditur se një nga temat e këtij takimi të shefave të diplomacive do të jetë rritja e ndihmës për Bosnjë e Hercegovinën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë, që po përballen me presionin rus. Në takim flitet edhe për aktivitetet e Kinës, e cila sipas Stoltenberg, po e rrit praninë e saj në Ballkanin Perëndimor dhe synon të kontrollojë infrastrukturën e rëndësishme të aleatëve të NATO-s. Për TV21, Besir Arifi, Bukuresht!
