Takim vjetor dyditorë i KE-së në Bruksel

TË FUNDIT

Liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së do të takohen sot në takim përfundimtar vjetor të Këshillit Evropian në Bruksel. Bisedat duhet të fillojnë në orën 13, ndërsa samiti do të zgjas dy ditë.

Pavarësisht situatës aktuale epidemiologjike, udhëheqësit e vendeve anëtare do të arrijnë në Bruksel, kurse Këshilli Evropian thekson rëndësinë e pranisë fizike për shkak të të gjitha “çështjeve të komplikuara” në rendin e ditës.

Në ditën e parë të samitit do të bisedohet për situatën me pandeminë Kovid-19 në Evropë.

Pika e dytë në rend dite do të jetë lufta kundër ndryshimit të klimës dhe marrëveshja për arritjen e neutralitetit të klimës në Evropë deri në vitin 2050 si dhe ngritja e synimeve të planifikuara për zvogëlimin e emetimeve të gazeve të dëmshme deri në vitin 2030.

Siguria e BE-së, lufta kundër terrorizmit, ekstremizmit dhe radikalizimit do të jenë gjithashtu në rendin e ditës, si dhe vlerësim i situatës së politikës të jashtme.

Në kontekstin e marrëdhënieve të politikës së jashtme, bisedime të rëndësishme pritet të konkretizojnë marrëdhëniet e ardhshme me Turqinë.

Udhëheqësit e BE-së pritet të marrin vendim të ekuilibruar për të pajtuar disa nga vendet anëtare të cilat janë për vendosje të sanksioneve dhe ato që theksojnë rëndësinë e bashkëpunimit me Turqinë, veçanërisht në çështjen e migrimit.

Liderët e BE-së do të diskutojnë gjithashtu marrëdhëniet e ardhshme me administratën e re në Uashington dhe përforcimin e bashkëpunimit transatlantik.

Të premten, dita e dytë e samitit në Bruksel do të fillojë me takim të vendeve që përdorin të njëjtën monedhë, euron, e cila do t’i kushtohet rikuperimit ekonomik dhe përforcimit të unionit monetar dhe fiskal.

Njëkohësisht thuhet se nuk pritet asnjë “debat ose vendim mbi Bregzitin” në këtë samit, por që kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, do të informojë udhëheqësit për gjendjen aktuale të negociatave.

Megjithëse në vitet e mëparshme ishte e zakonshme për udhëheqësit e BE-së 27 të “përshëndesin” konkluzionet ministrore për Ballkanin Perëndimor në samitin e dhjetorit, zgjerimi i këtij viti nuk është në agjendën e samitit të Brukselit.