Takim po, por nëse flasim për zgjedhje! Mickoski kushtëzon Kovaçevskin

TË FUNDIT

Takim po, por me disa kushte. Kështu i përgjigjet VMRO-DPMNE, deklaratës se mandatarit të ri, Dimitar Kovaçevski, se do ta ftojë në takim kreun e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Deputeti opozitar nga VMRO-DPMNE Antionio Milloshovski tregoi se ndër temat e bisedave që kryetari i partisë së tij kërkon të bisedohet janë zgjedhjet e parakohshme.

“Një ftesë e tillë ende nuk ka arritur në VMRO-DPMNE, por nëse arrin, do të pranohet me kusht që në takimin Kovaçevski-Mickoski të diskutohen zgjedhjet e parakohshme, si e vetmja zgjidhje logjike për të dalë nga kriza e thellë aktuale në të cilën ndodhet vendi, të bisedohet për përmbajtjen e përgjigjeve që Maqedonia ja ka dhënë Sofjes zyrtare ndaj kërkesës së tyre për formulën 5+1 për të cilën nuk janë njoftuar as opinioni dhe as Kuvendi. Pika e trete të bisedohet për angazhim më të madh në luftën kundër korrupsionit”, tha Milloshoski.

LSDM nuk i pranon kushtet e VMRO-DPMNE-së. Nuk duan as zgjedhjet të parakohshme parlamentare.

“Në mes të një krize ekonomike kur liderët botërorë flasin në mbështetje të qytetarëve, ai vendos kushte për një takim vetëm nëse ka zgjedhje të parakohshme. Zgjedhje nuk do të ketë, duhet të angazhohemi për tejkalimin e sfidave ekonomike dhe mbështetje financiare të qytetarëve. Për këtë duhet të flasim dhe të votojmë së bashku në Kuvend për këto tema prioritare”, deklaruan nga LSDM.

Nga LSDM shtojnë se si duket Mickoski nuk e ka kuptuar ose nuk ka dashur ta kuptojë thelbin e ftesës për takim që Kovaçevski ia kishte bërë natën kur të dy ishin zgjedhur liderë të dy partive më të mëdha në vend.

“Edhe në atë bisedë telefonike unë z.Mickoskit i thash se pas zgjedhjes së Qeverisë së re do t’i dërgoj ftesë që të mund të ulemi, të shkëmbejmë mendime dhe të bisedojmë për çështjet e hapura veçanërisht ata të cilët janë pjesë e debatit parlamentar dhe të arrijmë të gjejmë zgjidhje, para së gjithash për disa projekte infrastrukturore, investime por edhe për ligje të tjera që janë në interes të qytetarëve”, tha Kovaçevski.

Takimi i fundit mes dy kryetarësh të partive maqedonase ka qenë në mars të vitit të kaluar mes Zaevit dhe Mickoskit, takim në të cilin u morën vesh për prolongimin e regjistrimit të popullsisë dhe për identifikim me aparate biometrike gjatë votimit.