Takim liderësh për ndryshimet kushtetuese/ Grubi paralajmëron ndryshime shtesë, Mickoski thotë s’do të bëhen!

TË FUNDIT

Kryeministri Dimitar Kovaçevski me ftesë deri te partitë politike për mbajtjen e një takimi liderësh të hënën, më 7 nëntor, ku do të debatohet për të ardhmen europiane të vendit por edhe për vendimet që në periudhën e ardhshme do të sillen në Kuvend me konsensus të gjerë politiko-shoqëror. BDI në këtë takim sa duket shkon me më shumë propozime për ndryshimin e Kushtetutës, përveç fshirjes së 20%-shit. Këtë e paralajmëroi zv/kryeministri i parë Artan Grubi në emisionin “ClickPlus” në TV21 i cili tha se ka shumë çështje brenda Kushtetutës mbi të cilat duhet biseduar dhe se për to do të ketë mbi 80 vota në Kuvend.

“Jo vetëm çështja e preambulës, po edhe çështje tjera përfshirë 20%, censusin për referendum, mënyrë e zgjedhjes së presidentit, p.sh jo në zgjedhje të drejtpërdrejta. Të hapim një debat të gjerë shoqëror dhe të bëjmë një ndryshim të mirëfilltë të Kushtetutës me të gjitha elementet, jo vetëm ndryshimin e preambulës me përfshirjen e komunitetit bullgar, malazez, kroat dhe të tjerë. Jo vetëm heqjen e 20% dhe zëvendësimin me gjuhën shqipe po t’i shohim edhe gjërat tjera.
Them që jam shumë optimist që do i kemi më shumë se 80 deputet për ndryshimin e kushtetutës.”- deklaroi Artan Grubi, Zv/Kryeministër.

Reagoi ashpër kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski i cili siç tha, ndryshime të Kushtetutës në rrethana të këtilla nuk do të ketë. Ai tha se do të shkojë, por se nuk pranon që të debatohet mbi tjetër temë përveç mbi problemet aktuale me krizën dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Më e keqe është ajo që e thanë si shpjegim shtesë përfaqësuesit dhe liderët e partive shqiptare për formimin e parlamentit dydhomësh që de-fakto e de-jure do të thotë federalizim. Mendoj se ky hap është shumë i gabuar, përkatësisht se i njëjti e prish karakterin unitar të Maqedonisë, sepse mendoj se as Europës e as botës nuk u duhet edhe një Bosnjë në Ballkan, edhe një shtet jofunksional. Pse duhen takime liderësh për ndryshimet kushtetuese nëse i kanë 80 deputetë? Mendoj se z. Grubi ka një qëllim tjetër.”- deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Ditëve të fundit me iniciativë për takim liderësh dolën edhe partitë opozitare të bllokut shqiptar për fshirjen e formulimit 20%. Dje nga Besa dolën me thirrje deri te të gjitha partitë shqiptare për takim ku do të bisedojnë për këtë kërkesë. Nga ASh thonë se nesër do të vendosin për ftesën e kryeministrit Kovaçevski dhe atë të Besës.