Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, nuk pajtohet me kritikat e opozitës dhe shoqërisë civile që thonë se Bashkimi Evropian, po përkëdhel Serbinë, ndërsa Kosovën po e poshtëron, në raport me dialogun Prishtinë–Beograd.
Tahiri përkundrazi mendon se BE po e ‘dënon’ Serbinë duke e kushtëzuar me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, dhe kërkon nga ajo tërheqjen e strukturave paralele në veri të vendit për të fituar anëtarësimin në BE.
“BE është duke ia tërhequr vërejtjen Serbisë, për neglizhencën e saj sa i përket zbatimit të marrëveshjeve me Kosovën. Kjo vërehet edhe me atë se Serbia akoma nuk po arrin të fillojë bisedimet me Brukselin për anëtarësim në BE”, thotë Tahiri për Zërin.
Që nga janari i vitit 2014, Serbisë i është dhënë e drejta për të nisur procesin e dialogut për anëtarësim në BE, dhe prej atëherë Beogradi zyrtarë nuk i ka filluar këto bisedime, shton Tahiri, e kjo sipas saj ka të bëj pikërisht me atë se nuk po tregohet bashkëpunuese me Kosovën, në raport me zbatimi e marrëveshjeve.

