Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Syrija Rashidi ka parashtruar pyetje në seancën e pyetjeve të deputetëve.
Pyetja e parë ka qenë në lidhje me raportin e fundit të UNESKO-s për Liqenin e Ohrit, duke vlerësuar se mbrojtja e këtij rajoni është me rëndësi të madhe dhe nuk është vetëm interes lokal dhe shtetëror, por ka edhe interes botëror.
Ka pyetur për Ligjin për mbrojtjen e Liqenit të Ohrit, i cili siç tha, u tërhoq prapa për shkak të mospajtimeve mes partive bashkëqeverisëse, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë dhe Bashkimi Demokratik për Integrim.
“Qeveria atëherë parashtroi Ligj për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, por më pas ligji u tërheq, sepse nuk kishte pasur pajtim mes LSDM-së dhe BDI-së për shkak të Këshillit profesional që është paraparë në atë Ligj. Kështu Qeveria solli vendim që të tërheq ligjin”, tha Rashidi, transmeton TV21.
Ka pyetur edhe për rrugën Strugë – Qafë Thanë, e cila sipas tij, edhe pse premtohet se janë ndarë mjete, sërish ka gropa.
“Katër vjet kam kërkuar që të ndahen mjete që të zgjerohet rruga, në kohën kur miratohej buxheti. Për dy vjet më thuhet se mjete janë ndarë, se ekskavatorët janë në terren dhe se po punohet. Por, kjo mbaron me mbushjen e gropave”, tha Rashidi.
Ka pyetur edhe për autostradën Tetovë – Gostivar./TV21
