Gjykata më e lartë në vend ka reaguar për zhvillimet brenda Këshillit Gjyqësor. Kryetarja e Supremes, Besa Ademi, nëpërmjet një kumtese, thotë se me vëmendje po i ndjekin zhvillimet në Këshill dhe kërkon që situata të tejkalohet për të mirën e qytetarëve. Fton kolegët e saj që në këtë periudhë kyçe për shtetin, institucionet gjyqësore t’i përmbahen raporteve të Komisionit Evropian dhe Departamentit amerikan të shtetit.
“Inkurajojmë Këshillin Gjyqësor që ta kapërcejë situatën, në radhë të parë në interes të qytetarëve dhe në atë drejtim të vazhdojë përpjekjet për përgatitjen e Strategjisë për reforma në drejtësi, ndryshimet e nevojshme ligjore dhe zbatimin e standardeve evropiane, pavarësinë dhe efikasitetin e gjyqësorit në luftën kundër korrupsionit, transparencën dhe rikthimin e besimit publik”, tha Besa Ademi, kryetare e Gjykatës Supreme.
Me fjalor më të ashpër ka reaguar sot edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski. Sipas tij në Këshill po bëhet luftë e klaneve partiake se kush do të jetë kryetari ose kryetarja e ardhshme e këtij institucioni. Turp të tillë, vandalizëm dhe punë vagabondësh nuk është parë ndonjëherë në Maqedoni shton Micskoski.
“Dua ta pyes publikun dhe Qeverinë nëse ky dëm që u zhvillua në skenë të hapur në Këshillin gjyqësor i cili duhet të jetë organ mbi të gjitha organet sepse praktikisht është edhe nëna dhe babai i atyre që duhet të kujdesen për sundimin e së drejtës, për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Kjo që atje po ndodh, a nuk do t’i sjell dëme afatgjate në raportet tona me Bashkimin Europian sepse e dimë së njëra prej vlerave themelore të BE-së është pikërisht sundimi i së drejtës dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit”, pohoi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Edhe për kryeministrin ngjarjet në Këshillin gjyqësor janë skena që nuk i kanë hije organit më të lartë në sistemin e gjyqësorit. Shtoi se ai nuk do të përzihet në punët e gjyqësorit, por kërkon që organet gjyqësore ta bëjnë punën siç duhet. Sipas tij nëse dikush nga politika ka ndërhyrë, atëherë vetë gjykatësit duhet ta paraqesin.
“Ajo që mbetet është që organet gjyqësore në nivelin që u është kërkuar ta kryejnë punën e tyre, nuk kanë asnjë ndikim politik. Unë personalisht nuk kam pasur asnjë takim me kryetarin e një gjykate apo të Këshillit Gjyqësor sepse gjykatat janë autoritet i pavarur. Gjyqësori është i pavarur, ekzekutivi është i pavarur, legjislativi është i pavarur dhe secili duhet të kryejë detyrat e veta në kuadër të kompetencave të tij. Nëse dikush ka ndërhyrë në to, ata do të duhet ta raportojnë vetë përmes një procedure të përshtatshme”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Për shkarkimin e Vesna Damev nga posti i kryetares të Këshillit Gjyqësor dje ka reaguar edhe kreu I shteti Stevo Pendarovski, ministria e Drejtësisë dhe Komisioni Antikorrupsion. Dameva u shkarkua nga posti i kryetares pa qenë fare në rend dite pika për shkarkimin e saj. Kjo erdhi pas disa orësh debat në Këshillin Gjyqësor mbi letrën e dërguar nga ambasadorja amerikane Anxhela Ageler për vonesat në gjykatën e Apelit.
