Sulmi në Hamburg – vazhdojnë të mbeten të paqarta motivet

TË FUNDIT

Shtatë persona janë raportuar të vrarë dhe dhjetëra të plagosur nga të shtënat me armë zjarri të enjten mbrëma në një qendër të Dëshmitarëve të Jehovait në Hamburg të Gjermanisë.

Policia ka thënë se personi i armatosur besohet të jetë i vdekur dhe se motivi mbetet i paqartë.

“Nuk kemi të dhëna për një autor në arrati”, tha një zëdhënës i policisë menjëherë pas sulmit, i cili ndodhi rreth orës 21:00 të së enjtes mbrëma.

Më vonë, policia tha se kishte gjetur një person të pajetë për të cilin besohet se mund të jetë autori.

Gazeta Bild raportoi se shtatë persona humbën jetën dhe 25 të tjerë u plagosën, nga të cilët tetë u plagosën rëndë. Është e paqartë nëse sulmuesi është përfshirë në numrin e të vdekurve. Policia tha se disa njerëz u plagosën rëndë, por nuk pranoi të thoshte se sa prej tyre kishin vdekur, raportoi Reuters.

Disa rrugë të vendit ku ndodhi sulmi u mbyllën dhe publiku u paralajmërua me mesazhe SMS për të shmangur zonën. Banorëve vendas u është thënë të qëndrojnë brenda dhe të përdorin telefonat e tyre vetëm “në raste ekstreme emergjente” në mënyrë që të mos mbingarkojnë rrjetin.