Sulmi ndaj Pendikovit, kamera ka kapur ngjarjen! Cilat ishin arsyet?

TË FUNDIT

Me prezantimin e provave materiale vazhdoi sot procesi gjyqësorë për sulmin ndaj sekretarit të klubit bullgar në Ohër “Car Boris III” i cili që dje edhe zyrtarisht është fshirë nga regjistri i shoqatave. Në gjykatë përsëri nuk u paraqit i dëmtuari Hristijan Pendikov, ndërsa avokati i tij tha se ai është në kontrolle shtesë mjekësore dhe se shpreson se në seancën e ardhshme do të jetë i pranishëm. Në sallën gjyqësore u pa edhe incizimi nga kamerat e sigurisë, ku shihet si dy persona e godasin Pendikovin, pas çka vjen edhe një person i cili nuk merr pjesë në sulm.

“Hristijan Pendikov do të vijë patjetër, kur do t’i mbarojë mjekimi. Tani është në gjendje më të mirë shëndetësore. Në video incizimin u pa se si dy persona rrahin një person. Cilat janë këta dy persona duhet vërtetuar, në fakt procedura ka të bëjë pikërisht me këtë, të dëshmohet e vërteta për këtë ngjarje kritike. Kush kë e kanë rrahur”, tha Stefan Karamishevski, avokat i Hristijan Pendikovit.

“Mendojmë se në asnjë rast kjo nuk ka të bëjë me popullin bullgar dhe kundër bullgarëve, për shkak se këtu u  bë zhurmë e madhe, u bë çka u bë, për arsye se i rrahuri ndihej si bullgar”, pohoi Dimitrija Koboski, avokat i të akuzuarit Ilija Spaseski.

Prokuroria tha se ka prova dhe se do ta dëshmojë aktakuzën se Hristijan Pendikov u sulmua për shkak të përcaktimit të tij si bullgar. Nga ana tjetër pala mbrojtëse e propozoi babain e të akuzuarit si dëshmitar shtesë, duke shtuar se familja nuk ka urrejtje ndaj asnjë kombi dhe duke theksuar se gjatë fatkeqësisë me anije me turistë bullgarë, pikërisht babai i të akuzuarit ka ndihmuar në shpëtimin, pas çka nga qeveria bullgare ka marrë mirënjohje dhe dekorim. Seanca e radhës u caktua për më 31 maj.  Jovica Paunoski Ohër